Garë e ngushtë në prag të zgjedhjeve të parakohshme në Greqi

TË FUNDIT

Rezultatet e disa anketave të bëra gjatë fundjavës, tri javë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Greqi, dëshmojnë se gara zgjedhore do të jetë tejet e paqartë dhe e ngushtë, se asnjëra parti nuk do të fitojë shumicën absolute në Parlament dhe se përbërja e parlamentit të ri do të jetë edhe më e fragmentarizuar, se sa ajo e parlamentit të kaluar.
Rezultatet e të gjitha anketave dëshmojnë se partia e majtë, Siriza, kryeson me një epërsi prej 3.1 për qind para partisë konservatore, Demokracia e Re.
Sipas anketave në korrik, para shpërbërjes së partisë Siriza, pasi që nga ajo u larguan disidentët e krahut të majtë, të cilët kundërshtuan marrëveshjen me kreditorët ndërkombëtarë të Athinës, epërsia e Sirizës para Demokracisë së Re në të shumtën e rasteve ishte dyshifrore.
Rezultatet e katër prej gjashtë anketave të bëra dëshmojnë se në përbërjen e re të Parlamentit, pas zgjedhjeve të 20 shtatorit, do të jenë 8 parti, ndërsa rezultatet e dy anketave tjera tregojnë se në parlament do të ketë nëntë parti. Në përbërjen e kaluar të Parlamentit të Greqisë kanë qenë të përfaqësuara shtatë parti./21Media