Gardianët e burgut të Shtipit demantojnë Pandovin. SPOGJ: Kërkuan drogën për t’ia dorëzuar policisë

TË FUNDIT

Një grup punonjësish në burgun e Shtipit, anëtarë të organizatës sindikale të SPOGJ-it, sot kanë reaguar ndaj konferencës për media të drejtorit të burgjeve Aleksandar Pandov, në të cilën ai ka akuzuar policët e burgut se kanë ndihmuar një të burgosur të gjejë drogën e hedhur në oborrin e burgut. Në reagim thuhet se drejtori ka paraqitur një pamje që nuk përputhet me realitetin dhe veprimet zyrtare të kryera nga autoritet në asnjë moment nuk ka pasur vend për dyshim se ndonjë nga punonjësit e policisë së burgjeve ka vepruar në kundërshtim me detyrën e punës dhe ka bashkëpunuar me personin e dënuar.

“Ne si punonjës të institucionit e mohojmë tërësisht këtë histori të trilluar që është plasuar në mënyrë ironike dhe cinike në publik. Me përgjegjësi dëshmojmë se e vërteta është krejtësisht ndryshe dhe veprimi i ndërmarrë për gjetjen e sendeve të dyshimta të hedhura nga jashtë burgut në këtë ngjarje përmes murit synonte të konstatonte se çfarë kishte të paligjshme që të denoncohej në SPB-Shtip”, thonë nga sindikata SPOGJ.

Kërkimet gjatë orëve të natës kanë përfunduar pa sukses, shtojnë në përgjigje, por gjatë orëve të mëngjesit është gjetur një qese plastike, e cila përmbante lëndë të dyshimta pluhuri dhe barishte.
Punonjësit thonë se pas zbulimit janë ndërmarrë të gjitha veprimet operative dhe protokollare, është njoftuar drejtori i institucionit, ndërsa për ngjarje është lajmëruar policia, ku kanë mbërritur në burg.

“E gjithë procedura dhe hapat konkret të ndërmarrë janë të evidentuara në raportin ditor të policisë së burgjeve, e sigurisht është edhe në buletinin policor nga SPB-Shtip. Në asnjë moment nuk ka vend për dyshim se ndonjë nga punonjësit e policisë së burgjeve ka vepruar në kundërshtim me detyrat e punës dhe ka bashkëpunuar me personin e dënuar në favor të tij, siç u përmend nga drejtorët”, sqaron sindikata SPOGJ.

Drejtori Pandov informoi të mërkurën për një rast në të cilin në oborrin e burgut në Shtip është hedhur një top me 35 gram kokainë dhe 50 gram marihuanë, ndërsa në incidentin ku një i burgosur po kërkonte drogën ishin të përfshirë edhe policët e burgut. Një i burgosur u përfshi në kërkimin e “gjësë”, siç tha Pandov, dhe më pas atij iu bashkuan oficerë të policisë së burgut, të cilët ndriçuan lëndinë me elektrik dore. Sipas Pandovit, i burgosuri tha se po kërkonte orën që ia kishte marrë kudra Ceca.