Gara për Shkupin/Gjorgjievski favorit në VMRO-DPMNE, Ralev dhe Shukova në garë te LSDM?!

TË FUNDIT

Kryetari aktual i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski, përballë arkitektit Mishko Ralev. Kështu do të dukej aktualisht gara për kryetar të Shkupit midis VMRO-DPMNE dhe LSDM-së, sipas përplasjes së brendshme partiake dhe para se organet partiake të marrin vendimin se kush do të jetë kandidati i tyre për pozitën më prestigjioze në vetëqeverisjen lokale. Sipas informacioneve të TV21, me shumë gjasë në seancën e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së që do të mbahet të dielën, do të konfirmohet emri i Gjorgjievskit si kandidat. Kundërshtari më i madh i tij brenda partisë për këtë pozitë, Zllatko Perinski, thotë se nuk ka një informacion të tillë.

 “Është e saktë që në ora 12:30 partia jonë VMRO-DPMNE ka caktuar takim të Komitetit Ekzekutiv dhe pritet që mes emrave të tjerë për kryetarë komunash, të shpallet edhe emri për qytetin e Shkupit, jo vetëm për Orce Gjorgjievskin, por edhe për cilindo kandidat tjetër që do të mbështetet nga partia ime. Para së gjithash, kjo është një nder i madh dhe do ta ketë mbështetjen time të plotë jo vetëm për zbatimin e programit, por edhe për fushatën që na pret para zgjedhjeve lokale”, tha Zlatko Perinski, VMRO-PMNE.

Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, përmes një bisede telefonike për TV21 tha:


“Nuk do t’i komentojmë emrat derisa të kalojnë në organet partiake. Tregoni durim, kjo do të ndodhë në ditët në vijim”, shtoi Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.

Sipas informacioneve nga partia opozitare, kandidati më serioz për kryetar të Shkupit është arkitekti Mishko Ralev. Ai konfirmoi për TV21 se është në lojë për këtë pozitë. Megjithatë, në garë është përfshirë edhe ish-ministrja e Ekologjisë, Kaja Shukova, e cila është vetëkandiduar dhe është pjesë e udhëheqësisë së partisë – diçka që Ralev nuk është.

Përndryshe, Perinski thotë se sondazhet brenda partisë tregojnë fitore të sigurta në një numër të madh komunash, përfshirë ato të Shkupit si dhe vetë Qytetin e Shkupit. Por nuk u përgjigj nëse për Komunën Qendër do të kenë kandidat të vetin, nëse do të mbështesin partnerin e koalicionit nga ZNAM dhe nëse është e vërtetë spekulimi se do të mbështesin kryetarin aktual nga LSDM, Goran Gerasimovski.

“Sa i përket kandidatëve që do të propozohen apo mbështeten nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni, mendoj se për disa ditë do të kemi konfirmim se si do të veprojmë në periudhën e ardhshme”, u shpreh Zlatko Perinski, VMRO-PMNE.

Perinski i bëri thirrje LSDM-së dhe BDI-së, pasi pa ta nuk ka shumicë të Badenterit në Kuvend, që të votojnë Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili nuk mund të kalojë pa shumicën e votave nga shqiptarët. Ai thotë se koalicioni është stabil, por nuk dha një përgjigje të qartë nëse pas zgjedhjeve lokale janë të mundshme zgjedhje të parakohshme parlamentare për ta siguruar këtë shumicë.