Edhe pse fushata për zgjedhjet lokale zyrtarisht fillon pas një jave, në Çair tashmë disa javë gati se çdo ditë ka aktivitete nga kandidati i VLEN-it Izet Mexhiti dhe ai i AKI-së Bujar Osmani. Premtojnë të rregullojnë çështje jetike për komunën, siç është infrastruktura. Për këtë madje që dy kanë angazhuar arkitektë të huaj të cilët do të përpilojnë plan për zgjidhjen trafikut dhe urbanizmit. Pas dore nuk i lënë as premtimet që lidhen me jetën sociale të qytetarëve, qoftë atyre më të moshuar ose të fëmijëve. Mexhiti sot u takua në Çarshi me të rinjtë që do të votojnë për herë të parë, e për të cilët tha se kërkojnë realizime konkrete pasi edhe vetë politika ka evoluar.
“Fotografia kryesore është me rininë të cilët kanë mbushur 18 vjet dhe për herë të parë e fitojnë të drejtën për të votuar, dhe rini e cila do të votojë për Universitetin “Nënë Tereza”, do të votojë për pishinat, do të votojë për qendrën rinore, pra është një rini e cila nuk voton vetëm për fjalë boshe, është një rini e cila vjen në momente edhe kur politika ka evoluar dhe kërkojnë realizime konkrete, kërkojnë vizion konkret për Çairin”, tha Mexhiti.
Kandidati i AKI-së Osmani prezantoi programin kundër bullizmit nëpër shkolla. Shpalosi idenë për një linjë telefonike anonime për të raportuar rastet e fëmijëve që do të bullizohen. Sa u përket prindërve tha se do të organizojnë seminare për t’i identifikuar fëmijët kur janë viktimë e bullizmit.
“Do të fusim në shkollë punëtori të rregullta për nxënësit, për inteligjencën emocionale, për empatinë, për atë se si t’i zgjidhin konfliktet me fjalë e jo me forcë. Do të zbatojmë programe për mësim-leximin digjital për shkak se pjesa më e madhe e bullizmit ndodh në internet. Mësuesit do të marrin trajnime se si ta njohin dhe si të përballen me rastet e bullizmit, ndërsa komuna do të investojë në më shumë psikolog dhe më shumë pedagog nëpër shkolla”, tha Osmani.
Garën e këtillë në Çair, me ide dhe projekte konkrete, si shembull të mirë e mori edhe analisti Imer Selmani, duke thënë se në fushatën e zgjedhjeve lokale duhet të diskutohet për çështjet që lidhen drejtpërdrejt me qytetarët, si menaxhimi i mbeturinave, ndërtimet e egra, çështjet e trafikut dhe transporti publik, si dhe kushtet në shkolla.
“Shohim se të dy kandidatët, edhe Izet Mexhiti edhe Bujar Osmani, janë përpjekur të sjellin, të paktën para publikut të prezantojnë ekspertë, profesionistë, të cilët me master-zgjidhje dhe master-plan, do të mundohen ta zgjidhin problemin urban me të cilin përballet kjo komunë. Këtu tashmë është mirë që gara vendoset në atë se kush do të japë zgjidhje më të pranueshme dhe më të mira për qytetarët, se si të përmirësohet standardi i jetesës dhe cilësia e shërbimeve”, tha Selmani.
Përndryshe para disa javësh Bujar Osmani prezantoi projektin “Çairi 2040” me arkitektin Michel Rojkind, projekt i cili synon transformimin rrënjësor të hapësirës urbane të Çairit. Ndërsa Izet Mexhiti shpalosi planin e tij për rregullimin e kaosit në Çair me arkitektin nga Turqia, Bajram Vardar.
