Kryetari i komunës së Çairit Visar Ganiu dhe ai i Tetovës Bilall Kasami janë ftuar në bisedë informative në polici. Arsyeja është përshkak se gjatë ngjarjeve që organizuan dy komunat me rastin e emërimit të rrugës “Adem Demaçi” në Çair si dhe përurimi i rrugës Sellcë-Vicë në malësinë e Tetovës, të dy organizatorët nuk intonuan himnin e Maqedonisë së Veriut si dhe nuk e vendosën flamurin shtetëror. Kryetarit të Çairit Visar Ganiu, nga MPB i janë shqiptuar dy gjoba.
“Kanë vendosur për momentin t’i kem edhe dy dënime për kundërvajtje. Arsyeja është vizita e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Çair. Thirren në ligj përshkak se nuk është kënduar himni i Maqedonisë aty dhe nuk ka pasur flamuj. Protokolli nuk e ka paraparë që të ketë flamur. Nuk ka pasur të Maqedonisë por nuk ka patur as të Kosovës.”- deklaroi Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.
E kryetari i Tetovës Bilall Kasami pas ftesës në bisedë informative në polici, shkroi se përpjekjet e tilla për frikësim janë nga koha e komunizmit e të njejtat nuk e frikësojnë aspak. Ai thotë se këto shantazhe vijnë nga pushtetarët e korruptuar.
“Aq më pak na trembin kur këto shantazhe e tentime për të penguar opozitën e bashkuar, vijnë nga pushtetarët e korruptuar dhe të shantazhuar që tani më ditët e tyre po i numërojnë në gishta. Koha e frikësimit të shqiptarëve, arrestimeve të tyre dhe marrjes së tyre nëpër stacione famëkeqe policore ka vdekur, bashkë me të do të vdes së shpejti edhe ky regjim i juaji komunist e titist.”- ka shkruar në fejsbuk Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.
Reagim pati edhe Alternativa. Siç thonë, ky akt është i turpshëm dhe tendencioz.
“Duke e dënuar këtë akt si të turpshëm dhe tendencioz, na duhet të themi se nëse kjo nuk ka ndodhur me porosi të Vuçiqit, për çka dyshojmë seriozisht, atëherë është një sjellje me panik e pushtetit për shkak të humbjes së pritshme në zgjedhjet e ardhshme që e pret koalicionin SORAVIA-BRAKO.”- thanë nga Alternativa.
Përndryshe ardhja e Kurtit në Maqedoni ngjalli reagime të shumta. Presidenti dhe Qeveria kritikuan për mospërdorim të flamurit dhe himnit shtetëror, si dhe për dukjen në publik të një flamuri që mbante hartën e “Shqipërisë së madhe”.
