Galliani mund të rikthehet te Milani

TË FUNDIT

Adriano Galliani pritet të rikthehet te AC Milan, megjithatë pa ndikuar në pozicionin aktual të presidentit Paolo Scaroni. Sipas “Corriere dello Sport”, marrëveshja për rikthimin e ish-drejtorit legjendar është arritur në parim dhe pritet të konkretizohet pas përfundimit të procesit të ndryshimit të pronësisë te klubi i Monzës.

Galliani, aktualisht zëvendës president dhe drejtor ekzekutiv i Monzës, do të jetë i lirë të largohet pasi Fininvest të përfundojë kalimin e aksioneve të klubit te fondi amerikan Beckett Layne Ventures, gjë që pritet të ndodhë në mesin e muajit shtator. Ky fond tashmë ka emëruar Mauro Baldissonin dhe Nicolas Burdisson si drejtues sportivë të rinj, duke hapur rrugë për lëvizjen e Gallianit.

Rikthimi i tij te Milani është përkrahur nga figura të rëndësishme brenda klubit, përfshirë Gerry Cardinale, pronarin e Milanit, Giorgio Furlani, drejtorin ekzekutiv, si dhe Zlatan Ibrahimovic, këshilltar i RedBird Capital.

Galliani do të marrë rolin e drejtorit të futbollit dhe nuk do të ketë konflikt kompetencash me presidentin Scaroni, i cili do të vazhdojë të merret me procesin e ndërtimit të stadiumit dhe detyrat e tij institucionale.