Gabimet në tekstet shkollore/ Lartësia e Everestit dhe orientimet me kë kufizohet Maqedonia

TË FUNDIT

Gabime në librin e “Historia dhe shoqëria” të klasës së pestë për shkollat fillore të autoreve Anita Angellovska dhe Glikerija Ilioska. Në këtë libër shkruhet se mali Everest është i lartë mbi 29 mijë metra, ndërsa lartësia e saktë është 8849 metra. Po ashtu shkruhet se Maqedonia në lindje kufizohet me Shqipërinë, ndërsa në perëndim me Bullgarinë, kur në fakt është e kundërta. Për gabime të këtilla, Ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, për TV21 u shpreh se librat përpara se të publikohen kalojnë nëpër disa duar, si recezentë dhe Këshillin Nacional të themeluar së fundmi.

“Një tekst duhet të kalojë disa filtra aprovim kam pranuar vonesën, për atë arsye kam dorëzuar materialet vetëm e vetëm që të jemi syhapur sa më shumë te këto gabime të cilat duhet të mos jenë dhe duhet të vërehen nga autorët dhe recezentët”- deklaroi Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Njëra prej autoreve të librit, Anita Angellovska, në profilin e saj në Facebook, ka reaguar për çështjen e librave duke kërkuar falje në opinion publik, ndërsa shton se tekstet i kanë kaluar të gjitha fazat e kontrolleve dhe përsëri kanë ndodhur gabimet.

“Menjëherë pas shtypjes së versionit përfundimtar të tekstit, vumë re gabimet e bëra gjatë përgatitjes përfundimtare të tij, të cilat fatkeqësisht nuk u vunë re, pavarësisht se tekstet kaluan të gjithë filtrat që parashikohen me ligj. Të njëjtat gabime ka edhe në tekstin e përkthyer në shqip, i cili është i ndarë në versionin elektronik. Menjëherë pas konstatimit të gabimeve i kemi shkruar ministrisë kompetente për të bërë korrigjime, të paktën në versionet elektronike të teksteve. Na vjen vërtet keq që në përpjekjet tona për të mos humbur diçka thelbësore, kemi humbur gabime të tilla teknike, të cilat kanë shqetësuar opinionin.”- deklaroi Anita Angellovska, autore e librit shkollor.

Përveç kësaj autorja e tekstit thekson se është ndjerë keq nga ofendimet në rrjetet sociale.