Liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) do të mblidhen për një samit dyditor në Gjermani.
Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia.
Liderët e këtyre shteteve pritet të bëjnë të ditur ndalesë të re në importet e arit rus, me qëllim të ashpërsimit të sanksioneve ndaj Rusisë, për shkak të nisjes së luftës në Ukrainë.
Rusët e pasur kanë blerë sasi të konsiderueshme të arit së fundi, me qëllim të uljes së ndikimit të sanksioneve ndërkombëtare për shkak të pushtimit rus në Ukrainë që ka nisur më 24 shkurt, ka thënë Qeveria britanike përmes një deklarate.
“Këto masa do të godasin drejtpërdrejt oligarkët rusë dhe do të godasin zemrën e makinerisë së luftës së presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson përmes një deklarate.
