Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski kërkoi nga Qeveria që të bëjë gjithçka që është nën kompetencat e saj dhe t’i kthejë rrogat e funksionarëve në nivelin e deritanishëm. Sipas tij, vendimi i Gjykatës kushtetuese duhet të respektohet, por duhet të gjendet mënyrë që përmes ndryshimit të koeficienteve të mos ketë rritje të rrogave për 78%.
“Qëndrimin tim e dini, mua më vjen keq që shumica e funksionarëve nuk e ndajnë mendimin tim. Qeveria duhet të bëjë gjithçka që është nën kompetencat e saj, ndërsa ka kompetenca që rrogat e funksionarëve, duke filluar prej meje deri te vetëqeverisja lokale, të mbeten në nivelin aktual. Me ndryshimin e koeficienteve, me ndryshimin e bazës, ndryshe nuk mund të dalim para qytetarëve dhe t’u tregojmë se në këtë situatë të vështirë kur i ngrijmë çmimet e produkteve bazë, ne i rrisim rrogat”- deklaroi Stevo Pendarovski, President.
Një pjestë të muajit rrogën me ngritje tashmë e morën deputetët, ndërsa këto ditë rrogë të rritur do të marrin edhe funksionarët e tjerë. Për hir të së vërtetës, rritja e rrogës për këtë muaj, mars, është për vetëm 8 ditë aq sa zgjat vlefshmëria e vendimit të Gjykatës kushtetuese. Vetëm për këtë periudhë deputetët kanë marrë 16 mijë denarë rritje, ndërsa rroga e plotë sipas përllogaritjeve të reja do të jetë 1.750 euro. Dje pas seancës së qeverisë, u shqyrtua mundësia për uljen e koeficientit të rrogave, por nuk kanë marrë vendim për këtë. Kryeministri Kovaçevski thotë se koeficientet nuk do të ndryshohen por mendohet për sjelljen e një ligji të ri për rrogat. Megjithatë, deri atëherë, funksionarët do të marrin rroga me rritje.
“Qeveria po punon, këtë e paralajmëruam, unë i parë e paralajmërova, qeveria punon në përpilimin e ligjit të ri për rroga ku do të vendoset konsistenca në pagesën e rrogave për të gjithë funksionarët në shtet, për shkak se edhe sot nuk ka konsistencë në pagesën e rrogave të funksionarëve.”- tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Mes tyre të cilëve u rritet rroga me këtë vendim të Gjykatës kushtetuese janë edhe gjykatësit e kësaj gjykate.
“Në lidhje me rritjen e rrogave, sa dhe si do të bëhet kjo, përgjigjen duhet ta japë një institucion tjetër kompetent i cili i bën përllogaritjet. Kuptohet se këtu janë përshirë edhe gjykatësit kushtetues për shkak se ata u zgjodhën në Kuvend, megjithatë Gjykata kushtetuese është i vetmi organ i shtetit që i ka kompetencat të vendosë për çështje të këtilla. Andaj këtu u parashtrua kjo pyetje, këtu edhe u vendos.”- tha Hristina Bellovska, zëdhënse e Gjykatës Kushtetuese.
Kundër rritjes së rrogave është edhe Grupi i Zjarrit nga BDI.
“Ne jemi kundër rritjes së rrogave të funksionarëve dhe kërkojmë rritje të rrogës minimale në 500 euro, rrogës mesatare dhe rrogës së administratës shtetërore pa përjashtime.”- pohoi Visar Ganiu, Grupi i Zjarrit.
Gjykata kushtetuese me vendimin për shfuqizimin e dy nenave të Ligjit për rrogë dhe kompensime të funksionarëve, mundësoi rritje të rrogave të funksionarëve për 78%. Me këtë vendim, përveç kryeministrit, presidentit, kryeparlamentarit, deputetëve dhe të gjithë bartësve të funksioneve publike, u përfshin edhe gjykatësit kushtetues.
