Fundjavë e zgjatur, fluks në pika kufitare – lehtësime edhe për udhëtime në Gjermani

TË FUNDIT

Edhe kjo fundjavë e zgjatur ishte arsyeja e mjaftueshme që shumë qytetarë të Maqedonisë të udhëtojnë jashtë vendit. Pas lehtësimit të masave, motit të nxehtë dhe numrit të reduktuar të të infektuarve, shumë qytetarët vendosën që kohën e lirë ta kalojnë në plazhet e vendeve fqinje. Nga Ministria e Punëve të Brendshme, informojnë se edhe për këtë fundjavë të zgjatur është vërejtur lëvizje e shtuar në vendkalimet kufitare. Prej atje shtojnë se rreth 10 mijë qytetarë të Maqedonisë brenda 24 orëve të fundit kanë dalë jashtë vendit për ta kaluar fundjavën e zgjatur.

“Në vendkalimin kufitar “Bogorodicë” gjatë ditës së djeshme kanë dalë 4.702 udhëtarë, prej të cilëve 2.345 shtetas të Maqedonisë, kurse sot deri në orën 11 kanë dalë 2.692 udhëtarë, 1.734 prej të cilëve shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Suzana Praniq-Talevska – zëdhënëse e MPB-së.

Shumë shtetas tanë u nisën drejt Shqipërisë, përkatësisht 3.791 udhëtarë. Kolona të gjata edhe në pikën kufitare “Tabanoc”, ku qindra automjete pritnin të hynin të Serbinë fqinje, kurse pjesa më e madhe prej tyre shkonin drejt pikave të vaksinimit në Vranjë, Nish dhe Beograd.

“Numri më i madh i daljeve është regjistruar në vendkalimin kufitar “Tabanoc”. Gjatë ditës së djeshme në periudhën nga ora 00 deri në 24:00, dalje kanë realizuar gjithsej 6.956 udhëtarë, 4.003 prej të cilëve janë shtetase të Maqedonisë. Nga mesnata deri sot në orën 11:00, dalje kanë realizuar 3.994 udhëtarë, 3.440 prej të cilëve shtetas tanë”, shtoi më tej ajo.

Bashkimi Evropian vendosi t’i lehtësojë kufizimet për udhëtim të shtetasve të Maqedonisë, gjë për të cilën janë pajtuar të gjitha 27 vendet-anëtare. Megjithatë, vendim zyrtar lidhur me atë se kur do të hiqet Maqedonia nga lista e vendeve në zonë të kuqe, pritet të sillet brenda ditëve në vijim. “Dojçe Vele” njofton se Gjermania prej 20 qershorit do të lejojë hyrje për qytetarët nga vendet që nuk janë pjesë e BE-së nëse janë vaksinuar kundër Covid-19, por jo edhe nëse vijnë nga ndonjë vend me rrezik, kumtoi Ministria e Brendshme e Gjermanisë. Maqedonia është hequr nga lista e vendeve me rrezik të dielën, më 13 qershor.