Zgjedhjet parlamentare në Britani do të mund të ndryshojnë përgjithmonë vendin, nëse në këto zgjedhje, siç parashikojnë anketat e opinionit publik, ithtarët e pavarësisë së Skocisë, të kryesuar nga Nikolla Sterxhon, fitojnë vota të mjaftueshme dhe bëhen partia e tretë më e madhe në Parlament.
Partia Kombëtare e Skocisë humbi në referendumin për pavarësimin e Skocisë në shtator të vitit 2014, por sot, vetëm shtatë muaj më vonë, ajo po bëhet gati që të shënojë një rezultat në zgjedhjet, që zhvillohen më 7 maj.
Sot, theksojnë ekspertët, nuk është çështje se a do të fitojë Partia Kombëtare e Skocisë zgjedhjet në Skoci, por çështja është se me çfarë epërsie do të fitojë.
Anketat parashikojnë se Partia Kombëtare mund të fitojë në 50 nga 59 qarqet zgjedhore në Skoci. Në të kaluarën, kjo parti nuk ka arritur që të fitojë asnjëherë më shumë se 11 qarqe.
Forcimi i Partisë Kombëtare të Skocisë është rreziku më i madh i brendshëm për integritetin e Britanisë dhe ekziston mundësia që harta e vendit të ndryshojë./21 Media/
