Ende mbetet e hapur ftesa e Kryeministrit për takim liderësh, ndërsa Zoran Zaev ende shpreson për pjesëmarrjen e kreut të opozitës maqedonase Hristian Micskoski.
Ai thotë se nuk e ka të qartë se si Mickoski kërkon zgjedhje të parakohshme, pa u marrë vesh paraprakisht për Kodin Zgjedhor.
“Thotë se duhet te flasim për zgjedhje të parakohshme, njeri hajde njëherë të flasim për Kodin Zgjedhor. Kemi rekomandime nga ODIHR të cilat duhet t’i ndërtojmë, një kohë ne luteshim t’i përfshijmë këto, tani qeveria lutet t’i inkuadrojë, e opozita nuk dëshiron të vijë në takim liderësh. Nuk e kuptoj këtë! Nuk paska parë arsye, ja arsyeja, kërkon zgjedhje të parakohshme, eja të flasim për Kodin zgjedhor, ja një arsye serioze”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Kryeministri pohon se “nuk ka ndër mend të plotësojë dëshira për zgjedhje” megjithatë është i gatshëm të flasë për çdo gjë që mund ta propozojnë liderët tjerë.
Edhe sot nga VMRO-DPMNE thonë se mbeten në qëndrimin e njejtë si deri më tani.
Lideri i opozitës VMRO-DPMNE-së Hristijan Micskoski e kushtëzon takimin e liderëve me kërkesën që pika e parë të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Unë isha i pari që e ftova kryeministrin të bashkëpunojmë për datë të zgjedhjeve. Ajo ofertë zgjati ca ditë. Cila ishte përgjigja e Qeverisë? Nuk e pranuan dorën e zgjatur të VMRO-së dhe na u përgjigj me akuza dhe përndjekje. U përgjigj me akuza dhe ndjekje ndaj funksionarëve të lartë aktual të partisë tonë po edhe ish funskionarë. Si të kemi takim kur kemi dallime aq të larta dhe qëndrime të kundërta”, tha kryetari I VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Takimin e liderëve Zaev e ka thirrur për të premten në orën 14, ndërsa me Mickoskin, Ahmetin dhe Selën ka propozuar të debatojnë për tre çështje: fatin e Prokurorisë Speciale, Kodin Zgjedhor dhe regjistrimin e popullsisë. Ahmeti dhe Sela ftesës i janë përgjigjur pozitivisht.
Përgatiti: Besir Arifi
