“FSHESA” PAS DERE, DATA PRIORITET, VENDIMET, PAS TAKIMIT ME MERKELIN

TË FUNDIT

Kryeministri Zoran Zaev nuk tregon saktë se ç’vendime do të merren për rikonstruimin dhe hapat e mëtejshëm, nëse vendi nuk merr datë për bisedime. Fshesën në kabinetin qeveritar tani e ka në plan të dytë ndërsa se çfarë do të ndodhë me qeverinë aktuale thotë se do të merret vesh pas takimit të së enjtes me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

“Përmes mesazhit që do ta marrim nga Kancelarja Merkel, ajo është deklaratë e qartë për hapat e ardhshëm dhe kështu do t’i sjellim vendimet në shtëpi. Pas takimit të enjten, me shumë gjasa fundjavën e ardhshme vijojnë seanca e Kryesisë Qendrore e LSDM-së, me partnerët tanë të koalicionit jemi vazhdimisht në komunikim, në varësi edhe të vendimit të shumicës parlamentare, nëse ajo do të mbijetojë dhe nëse do të vazhdojë në atë rrugë, ashtu edhe do t’i sjellim vendimet. Jemi transparent deri në fund, unë besoj se qershori do t’i rrumbullakësojë të gjitha vendimet politike  në shtëpi”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në bazë të informacioneve që disponon TV2, tashmë brenda partisë së Kryeministrit, Lidhja Social-Demokrate ka mosmarrëveshje për rikonstruimin që e pret kabinetin qeveritar. Sipas burimeve, dega Shkupit që drejtohet nga zëvendëskryeministrja Radmilla Shekerinska, këmbëngul se nëse ministri i Financave Tevdovski përfshihet nga ‘fshesa’, bashkë me të të lëvizë edhe zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Koço Angjushev. Shekerinska këto i quan një prej spekulimeve që po plasohen ditëve të fundit.

“Diskutimet kështu nuk i udhëheqim as në nivelin qendror, aq më pak në atë lokal. Këtë tip bisede dhe marrëdhëniesh mes nesh nuk e kemi pasur as kur e kemi pasur më së vështiri, e tani si pjesë e koalicioni qeverisës, me përgjegjësi të mëdha, kjo nuk na shkon”, tha Radmilla Shekerinska nga LSDM-ja.

Siç dihet, Tevdovski vjen si kuadër nga dega e partisë në Shkup, e që udhëhiqet nga Radmilla Shekerinska, ndërsa Angjushev gëzon përkrahjen e liderit të LSDM-së Zoran Zaev. Megjithatë, përveç lajmit se Ministri i Bujqësisë Nikollovski do të tërhiqet nga ekzekutivi për të kaluar si Sekretar Gjeneral i LSDM-së, deri më tani nuk është konfirmuar asnjë shkarkim ose rrotacion brenda qeverisë.

Edhe zëvendëskryeministri Bujar Osmani dje u tha gazetarëve se tani për tani fokusi është në politikën e jashtme dhe eurointegrimet, ndërsa shtoi se vetëm pasi të definohet dinamika e tyre do të definohen edhe çështjet e brendshme politike, përfshirë këtu, ndryshimet në ekzekutiv.

Përgatiti: Besir Arifi