Për zjarret që kanë kapluar shumë zona të vendit ka reaguar edhe partia opozitare Alternativa. Zëdhënësi Orhan Murtezani tha se është më se skandaloze se si mbrëmë nuk u arrit të lokalizohet zjarri në Koçan dhe kështu të rrezikohet jeta e qytetarëve.
Që skandali të jetë edhe më i madh, thotë Murtezani, deri sa vende dhe qytete ishin në rrezik të madh nga djegia e tërësishme, Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojanço Angellov festonte Ilindenin me këngëtarë të estradës. Kësaj në shqip i thonë “Fshati digjej, plaka krihej”, shtoi Murtezani, duke kritikuar edhe Drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim Bekim Maksuti, i cili tha se avionët janë jashtë përdorimit për arsye se servisimi kushton shumë.
“Në kohën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut merr hua 900 mil. euro, ndërsa rreth 2 milion euro i ndan për huazim te makinave të reja për funksionarë shtetërorë, të dalësh me deklarime se helikopterët janë pa derivate dhe se avionët janë jashtë përdorimit, kjo flet jo vetëm për paaftësinë që ka kjo Qeveri për menaxhim me kriza, por edhe për pakujdesinë, të mos themi papërgjegjësinë e saj totale. Nisur nga kjo, AlternAtivA kërkon përgjegjësi nga Angelovi dhe Maksuti – që sot le të japin dorëheqje morale pas këtij dështimi skandaloz. Gjithashtu, apelojmë deri te Qeveria që urgjentisht të gjenden mjete për servisim të avionëve, që në të ardhmen mos të na përsëriten ngjarje të këtilla tragjike”, tha Murtezani./TV21
