“Duhanin e mbjellim me rasad, prej rasadit duhet të rritet 10-15 cm, mandej e qesim në ara e mbjellim rende, rende, i bëjmë edhe vijat edhe e mbjellim. Prej atëherë fillojmë edhe e punojmë bëhet për të mbjell e marrim fundin shkon një kohë përsëri dytën dorë edhe tretën, e të katërtën, e kështu me radhë”, u shpreh Xhezmi Imeri.
Xhezmiu nga Luboteni i Shkupit nuk pajtohet me pohimet e autoriteteve se duhanin e importojnë nga jashtë. Thotë se mundin e një viti të punës së lodhshme të banorëve, shteti ua morri për një ditë. Sipas tij, i gjithë duhani që u sekuestrua dje është prodhim i fshatarëve të Lubotenit.
“Ajo është një rren e atyre, unë jam habitur, si nuk i erdh mbare të thotë katër firma sjellin duhan në Luboten, ato firmat pse nuk i zë atje që sjellin në të zezë po vijnë në prodhimin këtu, na e merr bukën e gojës. Prej në 3 të natës zgjohen banorët për të mbledhur duhanin e thajnë e punojnë dhe vjen hazër këtu e merr”, tha Xhezmi Imeri.
Për këtë far keni leje?
“Kjo far është e jona, traditë e kemi, sa e sa vite ne këtë e mbjellim”, theksoi Xhezmi Imeri.
Ndonëse me dorë të lënduar, Qamili nuk ndalet së punuari me duhan.
“Vijnë tek këto çka punojnë në bukën e vetë, a je tu e pa djersët që më dalin, 70 -80 gradë është këtu brenda nxehtë”, deklaroi Qamil Aliu.
Ai thotë se lloji i duhanit Virxhina nuk bëhet në fshatin Luboten dhe atë që e sekuestruar dje polica financiare është duhan i prodhuar nga fshatarët.
“E mbledhin duhanin dhe vijnë me ngjit, e dje çka kanë marr duhan aj duhan është krejt i prodhimit të Lubotenit, se aj i Financave ka gënjyer. Ja edhe këtu, se tha farën e blejnë, kjo farë është çka e kemi ruajt ne prej kësaj ne e mbjellim duhanin, ne ta sheh a është duhani i llojit virxhine a nuk është”, potencoi Qamil Aliu.
Gjatë ditë së sotme Kryetari i bashkësisë lokale në Luboten, Rexhep Memedi kishte takim me drejtorin e policisë financiare Arafat Muharemin.
Pas takimit kryetari i bashkësisë lokale tha që duhani që është sekuestruar duhet të analizohet nëse është nga vendet tjera.
“Komisioni i cili do të formohet, special për këtë do të vlerëson se nëse konstatohet që ai nuk është atë që e kanë kërkuar, me shpresë që ndoshta edhe ajo do të kthehet tek banorët. Drejtori thotë atë që ia kanë thënë ata që kanë qenë ekspert. Mirëpo më tutje do të shihet se gjithçka që ka qenë jolegale, ajo do të mbetet aty dhe pjesa tjetër shpresojmë të u kthehet banorëve”, deklaroi Rexhep Memedi, kryetar i Bashkësisë Lokale, Luvoten.
Kjo deklaratë është ndryshe nga drejtori i Policisë financiare, i cili dje ishte i bindur që duhani është transportuar nga vendet fqinje.
Ndryshe me urdhër të Policisë financiare gjatë mëngjesit të djeshëm u krye aksion në fshatin Luboten, ku u sekuestruan 12 ton duhan, nga dyshimi se është transportuar nga vendet fqinje.
Përgatiti: Afrim Jonuzi
