Njëra palë flet për unifikim të frontit europian, e tjetra për unifikim të frontit opozitar shqiptar, por realisht as njëra palë e as tjetra nuk shihet e unifikuar në qëndrime.
Ditë më parë Ali Ahmeti deklaroi se po ndërtohet suksesshëm fronti për Europë dhe do të arrijnë të fitojnë madje deri në 30 mandate.
“Dalim në zgjedhje, sepse zgjedhjet janë në pranverën e ardhshme, e atëherë do matemi, atëherë është ringu e fusha e mejdanit kush fiton. Por duke u përpjekur t’i bësh varrin tjetër kujt hyn vet. Sa kohë punuan, në lodhën, na munduan, nga 20 mandate na zbritën në 10 mandate duke na bërë fajtor kujdestar, për çdo të keqe adresa ishte BDI-ja. Por ne ishim çelësi ne ramë në 10 mandate, por pa ne s’mundeshin por, ne u ringritëm nga 10 në 15 mandate. Do të shkojnë në 25 dhe në 30 mandate sepse, po ndërtohet fronti për Europë”, tha Ali Shmeti, kryetar i BDI-së.
Por për këtë temë, kryetari i Ash-së, Arben Taravari tha se po keqpërdoret nga funksionarë të lartë të BDI-së sepse ASh ende nuk ka sjellë vendim të prerë mbi këtë çështje.
“Unë s’dua të kundërshtoj. Ai e ka hapur këtë temë, z.Ahmeti, por nuk ka një miratim prej ASH-së. Ne fundi fundit duhet t’i shohim interesat e partisë tonë, natyrisht mbi të gjitha janë interesat e qytetarëve, por asnjëherë nuk i kemi premtuar askujt. Unë e shoh që edhe keqpërdoret kjo temë prej anëtarëve dhe funksionarëve të BDI-së, sikur kjo punë është e kryer dhe se ASH në zgjedhjet e ardhshme shkon bashkë me BDI-në, dua ta demantoj dhe ta kundërshtoj. ASH nuk ka sjell një vendim të këtillë”, theksoi Arben Taravari, kryetar ASH-së.
Por as fronti opozitar nuk duket të jetë tërësisht i unifikuar. Sa filluan Kasami, Gashi dhe Mexhiti tw takohen mes vete, Arjanit Hoxha doli dhe u distancua nga Besa dhe shprehet kundër këtij bashkëpunimi. Derisa dega e Alternativës në Tetova ka pakënaqësi, edhe deputeti i pavarur Skender Rexhepi Zejdi duket larg këtij bashkëpunimi.
“Paramendoni fotografinë e këtij blloku opozitar, në tubimin e zgjedhjeve të ardhshme në Çair, ku në rreshtin e parë do të jenë të radhitur Izet Mexhiti, Visar Ganiu, Zeqirija Ibrahimi, Bekim Sali e Kastriot Rexhepi. Të gjithë aktorë politik prej 2017 e këndej që kanë kundërshtuar njëri-tjetrin deri në akuza për burgosje, dhe çfarë do t’u thonë këta qytetarëve në Shkup, në Çair, se kush e prishi Çairin, se kush lejoi ndërtime pa leje në Çair, se kush e ka vendosur në këtë situatë që ndodhet pjesën e Shkupit të vjetër?”, pohoi Arjanit Hoxha.
Përndryshe, Izet Mexhiti nga tubimi në Gostivar i çoi porosi edhe Aleancës për Shqiptarët dhe Arben Taravarit që të bashkohen në frontin opozitar, për ta bërë siç tha, ndryshimin e madh. Megjithatë në përgjigjen e tij Taravari theksoi se është koha që ASh të shkojë vetë në zgjedhje.
