BDI edhe më tej e mbanë të hapur ftesën ndaj partive tjera për frontin europian. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Faton Ahmeti tha se ftesa u është bërë publike, por jo të gjithë kanë treguar gatishmëri.
A mundet që këtij fronti europian t’i bashkohen edhe Besa dhe Alternativa?
-Po, hapur e kanë ftesën.
Edhe për pjesë marrje në Qeveri dhe për zgjedhjet e ardhshme?
-Po, por nuk kanë treguar gatishmëri, publikisht ju është bërë ftesa e kryetarit.
Por kryetari i Besës Bilall Kasami për këtë temë kishte folur në muajin prill, kur tha se BDI vetëm kur kërkon të shpëtoj vetveten kërkon bashkëpunim.
“Ftesa e BDI dhe Aliu për një front pro europian nuk ka të bëj as me Europë as me shqiptari, por ka të bëj me tentimin e shpëtimit të tyre dhe nga momenti kur ata mund të besojnë se janë të shpëtuar ata do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre të cilin e kanë 20 vite”, deklaronte Bilall Kasami – BESA .
E nga ana tjetër, kryetari i Alternativës Afrim Gashi, ka deklaruar se BDI duhet të shkojë në opozitë.
“Unë mendoj se BDI duhet të shkojë në opozitë dhe ne duhet të mblidhemi krejt bashkë dhe mebë një ndryshim”, pohoi Afrim Gashi – AAA.
Besa dhe AAA tashmë kanë zhvilluar takime për një bashkëpunim të mundshëm opozitar.
Për frontin europian më herët ka folur edhe kryeministri Kovacevski, i cili e sheh të nevojshëm për sigurimin e 80 votave për ndryshimet kushtetuese. Deri tani kundër ndryshimeve kushtetuese janë shprehur vetëm VMRO DPMNE dhe Levica.
