Fronti Europian nuk është i kënaqur me programin qeveritar, ndërsa kritikon VLEN-in se si nuk arriti që të përfshijnë premtimet e tyre në program. Skender Rexhepi nga Fronti Europian numëroi disa nga premtimet e VLEN-it, me të cilat thotë se i kanë mashtruar qytetarët.
“500 milionë euro investime në vendbanimet shqiptare, nga 10 mijë euro për çdo qytetar në vendbanimet shqiptare. Rruga Tetovë-Prizren, rruga Dibër-Peshkopi, rruga hekurudhore Shkup-Prishtinë dhe Shkup-Strugë, ministria e diasporës, shkollë të mesme në fshatra, banesë pa kamatë për çdo çift nën 35 vjeç, krijimi i bankës shqiptare. Ju lutem, i gjithë ky ishte program i VLEN-it, me të cilin kanë mashtruar qytetarët dhe nuk kanë arritur ta fusin as edhe një pikë të vetme aty. Ky program është ofendues, është tallës”, tha Skender Rexhepi – deputet i Frontit Europian.
Rexhepi gjithashtu thotë se kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria me përfaqësim më të ulët të shqiptarëve, ndërsa e konteston edhe emrin e ministrit për marrëdhënie mes bashkësive, Ivan Stoillkoviq. Këtë qeveri si jo legjitime e cilësoi edhe deputeti tjetër nga Fronti Europian, Blerim Bexheti.
“Jemi dëshmitarë të gjithë se po krijohet një Qeveri pa legjitimitet etnik. Nëse kjo është tendenca e mandatarit dhe VMRO-DPMNE-së, edhe në praktikë do të dëshmohet se është gabim. Por nuk është hiç mirë as për ata që si humbës hyjnë në Qeveri”, potencoi Blerim Bexheti – deputet i Frontit Europian.
Për çështjen e legjitimitetit u përgjigj deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi.
“Personi në fjalë flet për legjitimitetin të cilën e shkelën me dy këmbë, me trenin bullgar në Likovë dhe në çdo vendbanim shqiptar, votat i kishin marrë nëpërmjet shantazhit, kërcënimit, dhunës, frikësimit, blerjes së votave, pagesës së votave, kërcënimit të kompanive, të individëve, të sipërmarrësve, të punëtorëve, administratorëve, e kështu me radhë”,tha Adnan Azizi – deputet i VLEN.
Seanca për votimin e Qeverisë do të vazhdojë nesër ndërsa votimi duhet të realizohet më së voni nesër në mesnatë.
