Front antiKovaçevski apo biseda të lira? Për çfarë biseduan Gashi e Zaevi në kafene?

TË FUNDIT

Kjo video e publikuar në rrjetet sociale, ku shihen bashkë në kafene kreu i Alternativës Afrim Gashi dhe ish-kryeministri dhe ish-kreu socialdemokrat Zoran Zaev, ka ngritur pluhur në politikën vendore, e bashkë me këtë edhe pyetjen se për çfarë mund bisedojnë, në një kohë kur të dy janë “pezmatuar” me kryeministrin aktual Dimitar Kovaçevski – kryetarin aktual të LSDM-së. E pyetëm ish-kryeministrin Zaev, por nuk iu përgjigj mesazhit tonë. Ndërsa nga ana tjetër Gashi vetë shkroi në Facebook për takimin.

“Si lider i Alternativës, kam mandat dhe detyrë të takohem me të gjithë aktorët politikë në vend. Kështu kam vepruar gjithnjë dhe kështu do të veproj edhe në të ardhmen. Rrjedhimisht, nuk ka asgjë të veçantë dhe të mistershme në takimin me ish kryeministrin Zoran Zaev. E kuptoj interesin e mediave për këtë takim, por mendoj se pyetja themelore nuk është se me kë, ku e për çfarë takohem unë, por pse, me çfarë urdhri dhe cila është frika e shërbimeve LSDM-BDI që më ndjekin?”, ka shkruar Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Sekretari gjeneral i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi ka sqaruar se ka qenë takim i planifikuar që më herët, ndërsa siguron se nuk është folur për ndonjë rrënim të qeverisë Kovaçevski.

“Takimi nuk ka qenë aspak për rrëzimin e qeverisë së Kovaçevskit. Ne do ta lëmë qeverinë që vetë të fundoset, sepse edhe ashtu do të bjerë pranverën e ardhshme”, tha Zeqirja Ibrahimi, sekretar gjeneral i Alternativës për “Sllobodan Peçat”.

Më i ashpër ndaj këtij takimi Zaev-Gashi ishte deputeti i pavarur Skënder Rexhepi Zejd, dikur edhe ky pjesë e Alternativës. Në Facebook shkroi se “klani i alternativës nuk la qershi pa ngrënë”, sepse siç shton, “natën akuzojnë qeverinë për tradhti dhe pabesi – ditën ulen në prehër të Zaevit”.

“-Sot akuzojnë BDI-në për korrupsion – ndërsa dje iu betoheshin në lojalitet Aliut nëse nuk u merret Shëndetësia;
-Paradite akuzojnë grupin e zjarrit për krim – e pasdite i shkojnë Izetit në komunë për t’iu bashkangjitur;
-Tërë kohën akuzojnë VMRO-në për antieuropiane – ndërsa me orë presin takim me Mickovskin;
-Shpallën Aleancën për shpëtimin e Grubit – kurse të parët ia uruan postet ministrave të Taravarit;
-Bile edhe me Besën janë gati të ribashkohen, pavarësisht gjithë akuzave të thëna në të kaluarën;
-Ka mbetur vetëm edhe një takim me Apasievin, (ups harrova që me te bashkë kanë dashtë të na dërgojnë në Rusi)”, ka shkruar Skender Rexhepi-Zejdi, deputet i pavarur.

Javë më parë Alternativa doli nga Qeveria, ose më mirë thënë u hoq nga Qeveria, sepse para se vendimi të merrej në partinë e Gashit, Qeveria e drejtuar nga Kovaçevski vetëm se i ndau resorët për partnerin e ri qeverisës, Aleancën për Shqiptarët. Nga ana tjetër, tashmë kohë të gjatë përflitet për raporte jo të mira mes ish-kryeministrit dhe kreut të LSDM-së Zoran Zaev dhe pasardhësit të tij Dimitar Kovaçevski, pasi siç përflitet, për mospajtime për emërimet në Qeveri, edhe pse palët mohojnë se kanë mospajtime dhe prishje marrëdhëniesh.