Pandemia e Kovid-19 ka thelluar krizën e demokracisë në të gjithë botën, duke lejuar autoritetet të pengojnë zgjedhjet, të heshtin kritikët dhe mediat, të dobësojnë institucionet kryesore dhe të minojnë nevojën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shëndetit publik, thuhet sipas raportit të fundit të “Fridom Haus”, i titulluar “Demokracia gjatë kohës së karantinës”.
Raporti, i përgatitur nga “Fridom Haus” në bashkëpunim me grupin hulumtues “GKR” (GQR), thotë se që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, kushtet për demokraci dhe të drejtat e njeriut janë përkeqësuar në 80 vende të botës. Theksohet gjithashtu se kriza e demokracisë filloi shumë kohë para pandemisë, por për shkak të krizës së Kovid-19, situata u përkeqësua dhe kjo prirje ndoshta do të vazhdojë pas përfundimit të krizës shëndetësore, sepse do të jetë e vështirë të ndryshohen ligjet dhe rregullat e vendosura.
Në raportin e përgatitur, nënvizohet se pandemia e Kovid-19 përkeqësoi edhe më tej rënien e vazhdueshme 14-vjeçare të lirisë.
“Jo vetëm që po bie demokracia në 80 vende, problemi është veçanërisht i mprehtë në demokracitë e brishta dhe vendet tepër shtypëse, në fakt më shumë pësojnë institucionet që tashmë kishin masa mbrojtëse të dobëta kundër abuzimit të pushtetit”, thekson Fridom Haus.

Në raport përshkruhen edhe rezultatet e sondazhit të kryer nga janari deri në gusht të këtij viti në pesë aspekte ku kishte rënie – abuzimi i pushtetit, mbrojtja e grupeve të cenueshme, transparenca dhe lufta kundër korrupsionit, liria e mediave dhe shprehjes si dhe zgjedhjet e besueshme.
Më shumë se 60 për qind e të anketuarve parashikojnë që pandemia do të ndikojë në të drejtat politike dhe liritë civile në vende të caktuara në tre deri në pesë vitet e ardhshme.
Në raport gjithashtu thuhet se pandemia ka përshpejtuar rënien globale të lirisë së shprehjes.
Kufizimet për mediat si pjesë e përgjigjes ndaj Kovid-19 kanë ndodhur në të paktën 91 vende, me qeveritë në 72 vende që vendosin kufizime në fjalën e lirë ose kritikën.
Sondazhi zbuloi se udhëheqësit autoritarë si dhe udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike nuk ishin të sinqertë në lidhje me ndikimin e Kovid-19, dhe se 62 për qind e të anketuarve thanë se nuk u besonin qeverive kombëtare për ato që thanë për pandeminë.
Në mes të anketuarve nga vendet që “Fridom Haus” i përshkroi si të lira, 77 për qind e të anketuarve thanë se nuk i besonin informacionit të qeverisë kombëtare për shkak të mungesës së transparencës.

Në seksionin e përkushtuar për lirinë dhe shprehjen e mediave theksohet se në të paktën 91 vende nga gjithsej 192 (47 për qind) autoritetet kanë vendosur kufizime në raportimin mbi pandeminë. Mediat në 25 për qind të lira, 62 për qind pjesërisht të lirë dhe 67 për qind në vende jo të lira që kishin kufizime të tilla.
Maqedonia e Veriut, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit, renditet në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira, me përjashtim të Kroacisë dhe Sllovenisë, të cilat janë në grupin e vendeve të lira.
“Fridom Haus” nënvizon se në të paktën 72 vende (38 për qind) kishte kontrolle specifike të mediave, kufizime të qeverisë për fjalën e lirë dhe kritika ndaj qeverisë.
Raporti gjithashtu përmban numër rekomandimesh për shtetet për të siguruar masa të përshtatshme dhe të kufizuara në kohë, mbështetje teknike, qasje në informacionin e verifikuar, mbështetje për zgjedhje të sigurta dhe të drejta që respektojnë shëndetin publik, si dhe luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e fondit emergjent për të mundësuar organizatat e të drejtave të njeriut të vazhdojnë punën e tyre.
