Fotoja “lavdëruese” rindez debatin për shqipen! BDI akuzon VLEN për moszbatim të Ligjit të gjuhëve

TË FUNDIT

Është rindezur sërish debati mes BDI-së dhe koalicionit VLEN lidhur me zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Nga BDI akuzojnë se një deputet i VLEN-it vetë ka zbuluar se Qeveria nuk po e respekton ligjin. Sipas tyre, një postim i publikuar dje nga përfaqësues të VLEN-it, i cili synonte të paraqiste si sukses publikimin dygjuhësor të dokumenteve në “Gazetën Zyrtare”, në fakt rezultoi si dëshmi për moszbatimin e ligjit nga institucionet.

“Gazeta Zyrtare nuk vepron mbi bazë dëshire politike, as mbi bazë vullneti të momentit. Ajo ka obligim ligjor që shpalljet t’i publikojë në dy gjuhë, sipas rendit juridik në fuqi. Pra, deputeti i vlen-it, në përpjekje për t’u lavdëruar, në fakt promovoi zbatimin e një ligji që po e kontestojnë çdo ditë. Edhe më rëndë, me vetë krahasimin që bëri me institucionet tjera, pranoi publikisht se shumë institucione nuk e respektojnë detyrimin ligjor për përdorimin e gjuhës shqipe”, thonë nga BDI.

Ky reagim i opozitës vjen pasi deputeti nga radhët shumicës, Adnan Azizi, në Facebook shkroi që gjuha shqipe nuk preket, dhe se këtë e garantojnë ata, duke shtuar që Kuvendi 100% e respekton shqipen. Mirëpo në fotografinë e publikuar të Gazetës Zyrtare, shihen edhe të dhënat për përdorimin e shqipes nga Qeveria dhe Presidenca të akteve të publikuara gjatë 2025-tës, e të cilat te grafa “e gjuhës që e flasin 20% e qytetarëve” është zero.

“100% të akteve të miratuara nga Kuvendi gjatë vitit të kaluar janë në pajtim me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Këtë e dëshmojnë të dhënat nga raporti i publikuar në “Gazetën Zyrtare” për vitin 2025. Ndërkohë, askush më shumë se deputetët e opozitës shqiptare nuk ka manipuluar me temën e gjuhës shqipe. Ata që vetëm para kamerave shiten si mbrojtësit të shqipe, gjithë ditën flasin maqedonisht”, ka shkruar deputeti i VLEN-it Adnan Azizi.

Për këtë kërkuam qëndrim edhe nga koalicioni VLEN por nuk morëm përgjigje.