Forumi “Zhongguancun”, një platformë për shkëmbime dhe bashkëpunim ndërkombëtar

TË FUNDIT

Forumi “Zhongguancun” është një platformë e nivelit kombëtar në Kinë për shkëmbime dhe bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e risive shkencore e teknologjike. Një sondazh i kryer nga CGTN-i me përdorues interneti në mbarë botën tregon që deri në 90.4 për qind e atyre që u përgjigjën, besojnë se konkurrenca teknologjike e përqendruar te inovacioni do të bëhet pika qendrore konkurruese për fuqinë gjithëpërfshirëse kombëtare.
Që nga fillimi i tij në vitin 2007, Forumi “Zhongguancun” ka pasur “Risi dhe zhvillim” si temën e vet të përhershme. Sondazhi tregon që 84.6 për qind e të anketuarve besojnë që ky forum shërben si një platformë për shkëmbime dhe bashkëpunim midis shkencëtarëve, sipërmarrësve dhe investitorëve globalë, kurse 89.4 për qind e të anketuarve e konsiderojnë atë jo vetëm si një platformë për të shfaqur arritjet e inovacionit shkencor dhe teknologjik të Kinës, por edhe si një dritare të rëndësishme për përfshirjen e thellë të Kinës në qeverisjen globale të shkencës dhe teknologjisë.

Nga modelet e mëdha të inteligjencës artificiale (AI) dhe inteligjenca e mishëruar te teknologjia kuantike, biomjekësia, dhe madje edhe teknologjia 6G dhe ndërfaqet tru-kompjuter, Forumi “Zhongguancun” ndjek nga afër fushat pararojë të forcave të reja prodhuese cilësore, ku AI-ja merr një rol udhëheqës të padiskutueshëm. Kur vlerësohet ndikimi i AI-së në rritjen e prodhimtarisë, 71.4 për qind e të anketuarve japin një vlerësim pozitiv, duke besuar se AI-ja është bërë një faktor kyç në riformësimin e peizazheve industriale dhe përmirësimin e efikasitetit të prodhimit, ndërkohë që 74.7 për qind vlerësojnë që një raund i ri i revolucionit teknologjik dhe i transformimit industrial, i drejtuar nga AI-ja si forcë kryesore shtytëse, tashmë ka filluar plotësisht. Vala e teknologjisë së AI-së nuk është më e kufizuar në fushën e fuqisë kompjuterike virtuale. 81.7 për qind e pjesëmarrësve janë të mendimit që skenarët e aplikimit të AI-së po bëhen gjithnjë e më të pasur, duke e bërë atë një forcë të rëndësishme drejtuese për ndryshimin e stilit të jetesës, ndërsa 65.6 për qind mendojnë që, me intensifikimin e prirjes globale të plakjes së popullsisë, AI-ja do të bëhet një mundësi kyçe për të plotësuar mungesat e fuqisë punëtore.
Gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesëvjeçar, shpenzimet e përgjithshme të brendshme të Kinës për kërkim dhe zhvillim përbënin 2.8 për qind të PBB-së së saj. Në pesë vjetët e ardhshëm, investimet e vendit në kërkim dhe zhvillim pritet të rriten me një normë mesatare vjetore mbi 7 për qind. Sipas sondazhit, deri në 92.8 për qind e të anketuarve janë të mendimit që Kina është e aftë të mbledhë në mënyrë efektive burime për të trajtuar sfidat teknologjike në fushat kyçe, gjë që thekson forcën institucionale të Kinës.

Ndërsa raundi i ri i revolucionit teknologjik dhe i transformimit industrial vazhdon të thellohet, njerëzimi ka nevojë më shumë se kurrë më parë për bashkëpunim ndërkombëtar, për hapje dhe për ndarje të përbashkët, për të trajtuar bashkërisht sfidat e zhvillimit. 84.9 për qind e pjesëmarrësve në sondazh janë të një mendjeje që angazhimi i Kinës për hapje, bashkëpunim dhe përfitime të ndërsjella në drejtim të inovacionit teknologjik do të sjellë mundësi më të shumta për mbarë bashkësinë ndërkombëtare.

Sondazhi i CGTN-it, i publikuar në anglishte, spanjishte, frëngjishte, arabishte dhe rusishte, tërhoqi 8 723 veta brenda 24 orëve.