Në këto tre vjet që jemi vend anëtar i NATO-së, Maqedonia ka treguar gatishmëri për të dhënë kontribut në sigurinë kolektive në garantimin për stabilitet të çdo vendi anëtar të NATO-s dhe në garantimin për siguri të çdo qytetari të Aleancës. Këtë e theksoi ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, gjatë hapjes së forumit.
“Ne jemi NATO, d.m.th. pikërisht ajo që jemi pjesë përbërëse e NATO-s dhe nga ne njëjtë si nga të gjithë anëtarët e tjerë varet se sa NATO do t’i përgjigjet detyrës së vet për të qenë mbrojtës i vlerave të përbashkëta civile. Kemi zhvilluar sistem për përballje me dezinformatat i cili, mes tjerash, bazohet edhe në bashkëpunimin me sektorin civil i cili është shpejtë i përshtatshëm. Dy elementë që janë shumë të rëndësishëm për përballje efikase me këtë dukuri negative që ka potencial të madh destruktiv”, tha Sllavjanka Petrovska, ministre e Mbrojtjes.
Ambasadorja amerikane Anxhela Ageler në fjalimin e saj në gjuhën maqedonase, tha se Maqedonia jep kontribut të konsiderueshëm për avancimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global.
“Roli i Aleancës në garantimin e sigurisë transatlantike asnjëherë nuk ka qenë më i madh. Çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shumë krenar për kontributin që e jepni dhe vazhdoni që ta jepni. Investimi i Maqedonisë së Veriut në modernizimin e mbrojtjes e dëshmon aftësinë tuaj për t’u përgjigjur kërcënimeve dhe ju ndihmon që t’i arrini kapacitetet e NATO-s”, pohoi Anxhela Ageler, ambasadore e SHBA-ve në Maqedoni.
Përmes një videoje sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se Maqedonia kontribuon për sigurinë kolektive dhe është anëtare e barabartë në Aleancë.
“Sot, Maqedonia e Veriut ka vendin të saj në tryezën e NATO-s dhe zë të barabartë në debatet tona dhe e gëzon mbrojtjen e plotë të NATO-s. Kohë më parë, Maqedonia e Veriut u ballafaqua me sulme të vazhdueshme hibride, duke përfshirë edhe kërcënime për bomba dhe sulme sajber. Por ju nuk ishit vetëm në këtë. Ekspertë të NATO-s shkuan në Shkup që të ndajnë informacione dhe të ofrojnë mbështetje teknike”, pohoi Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.
Maqedonia para tre vjetëve arriti një prej qëllimeve të saj strategjike duke u bërë anëtare e plotfuqishme e NATO-s.
