Formohet rrjeti i juristëve shqiptarë në Austri

TË FUNDIT

Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri, mblodhi juristët shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Austri, për të krijuar rrjetin e juristëve në diasporë.

Qëllimi i këtyre rrjeteve është bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave ndërmjet rrjeteve të juristëve nga diaspora dhe Ministrisë së Diasporës e institucioneve të tjera të Kosovës, njohja me sistemin juridik të shteteve ku jeton dhe vepron diaspora dhe mërgata, integrimi i tyre në shoqërinë e shteteve pritëse, si dhe inicimi i marrëveshjeve bilaterale. Në këtë mënyrë synohet që statusi i mërgimtarëve të favorizohet sipas mundësive të shtetit pritës.

Në këtë takim, ambasadori i Kosovës në Austri, Sami Ukelli, e vlerësoi nismën si një hap të qëlluar, duke u bazuar edhe në përvojat e shteteve të tjera, ku identifikohen mekanizmat e komunikimit të ndërsjellë që do të sillte dobi për të dyja anët, si për bashkatdhetarët tanë, ashtu edhe për institucionet e Kosovës.

Po ashtu, për projektet që janë iniciuar nga Ministria e Diasporës, mbështetjen e parezervë e dha edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Roland Bimo, i cili spikati punën e pazëvendësueshme të Ministrisë së Diasporës përgjatë viteve, për t’i koordinuar përpjekjet dhe aktivitetet e diasporës sonë, pavarësisht nga rajoni apo shteti prej të cilit vijnë – Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni.

Deri tash Ministria e Diasporës ka themeluar rrjete të juristëve shqiptarë edhe në Suedi dhe Gjermani. /21MEDIA