Një raport vjetor i Kombeve të Bashkuara që dokumenton dhunën seksuale në konflikte në mbarë botën ka përfshirë për herë të parë forcat izraelite që nga fillimi i këtij shqyrtimi më shumë se 15 vite më parë, për trajtimin e të ndaluarve palestinezë. Izraeli i ka mohuar akuzat, raporton AP.
Raporti prej 35 faqesh- i shpërndarë nga misioni izraelit në OKB të enjten vonë, përpara publikimit të pritshëm të premten — rendit 77 palë qeveritare dhe joqeveritare në një duzinë vendesh, të dyshuara për kryerjen ose përgjegjësinë për dhunë seksuale në konflikte në mbarë botën. Ai thekson se numri i rasteve është rritur ndjeshëm në vitin 2025 krahasuar me 2024.
Forcat e armatosura dhe të sigurisë ruse janë përfshirë gjithashtu për herë të parë këtë vit në listë për dhunë seksuale ndaj të burgosurve të luftës dhe civilëve të ndaluar gjatë luftës në Ukrainë.
Lista për vitin 2025 përfshin edhe forcat izraelite, si dhe militantët e Hamasit, të cilët ishin futur më herët në listë pas sulmit të 7 tetorit 2023 në Izrael, që shkaktoi luftën në Gaza.
Përfaqësuesit e të dy vendeve kanë reaguar me zemërim ndaj përfshirjes së tyre dhe kanë kritikuar ashpër Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres.
Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, tha se Rusia do t’i dërgojë një letër sekretarit të përgjithshëm duke i quajtur akuzat “të pabazuara”. Ai shtoi se Rusia po përgatit një raport për trajtimin e të burgosurve rusë të luftës nga Ukraina.
Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, tha se “Guterres e ka vendosur Izraelin në të njëjtën listë me Hamasin, ISIS-in dhe organizatat më të këqija terroriste në botë”.
Raporti thekson se OKB-ja ka dokumentuar “modele të dhunës seksuale” ndaj palestinezëve të ndaluar në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze, duke verifikuar raste të shumta që përfshijnë edhe përdorimin e saj si formë torture.
Ai përmend raste të përdhunimeve, përfshirë edhe me objekte, dhunë fizike ndaj organeve gjenitale, zhveshje të detyruar dhe kërcënime për përdhunim.
Izraeli dhe Rusia i kanë mohuar kategorikisht akuzat dhe kanë deklaruar se ato janë të pabazuara dhe të motivuara politikisht.
