Një fond bamirësie i themeluar nga Princi Charles i Britanisë, Princi i Uellsit,në vitin 2013 pranoi një donacion nga familja e liderit të vrarë të Al-Kaedës, Osama bin Laden, pohoi një raport i mediave britanike të dielën, përcjell TV21. Sipas “The Sunday Times”, Princi Charles u takua me gjysmëvëllain e themeluesit të Al Kaedës, Bakr, në Londër dhe dyshohet se ra dakord të pranonte 1 milion funte.
Raporti pretendon se disa nga këshilltarët më të afërt të familjes mbretërore i kërkuan Charles – trashëgimtarit të fronit të Britanisë – të kthente paratë. Megjithatë, zyra e tij në Clarence House ka mohuar që familja mbretërore ishte përfshirë personalisht në vendim.
“Fondi i Bamirësisë së Princit të Uellsit (PWCF) na ka siguruar se është ndërmarrë kujdes i plotë për pranimin e këtij donacioni,” tha një zëdhënës i Clarence House për “Sky News“.
Ndërkohë, nga Fondi Bamirës i Princit të Uellsit thonë se donacioni nga Sheik Bakr bin Laden në vitin 2013 u mor me kujdes nga administruesit e PWCF në atë kohë.
“U krye kujdesi i duhur, me informacion të kërkuar nga një gamë e gjerë burimesh, duke përfshirë qeverinë. Vendimi për të pranuar dhurimin u mor tërësisht nga administruesit. Çdo përpjekje për të sugjeruar ndryshe është mashtruese dhe e pasaktë”, thonë nga PWCF.
