Kryetarja e Komisionit evropian, Ursulla fon der Lajen sot deklaroi në Prishtinë se është e shqetësuar për shkak të situatës në veriun e Kosovës dhe se zgjidhja e vetme është dialogu në Bruksel.
Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ajo theksoi se kjo është me rëndësi jetike për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është më rëndësi që të ecim përpara në rrugën evropiane dhe ka rëndësi jetike që të bëhet normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi, ka thënë fon der Lajen.
Ajo shprehi shqetësim të madh për shkak të krizës aktuale.
“Jam shumë e shqetësuar me krizën aktuale. Është me rëndësi që të shtensinohet situata dhe të kthehemi në tryezën e negociatave për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme, dhe e vetmja mënyrë për këtë është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, që është platforma e vetme për zgjidhjen e krizës aktuale”, tha kryetarja e Komisionit evropian.
Lajen shtoi se do të vazhdojë të bashkëpunojë me Kosovën sepse dëshiron ta shohë përparimin e saj.
Pas takimit, Kurti tha se e ka njoftuar kryetaren e Komisionit evropian për gjendjen në vendkalimet kufitare Bërnjak dhe Jarinje, se Qeveria nuk ka sjellë vendim të ri, por vetëme ka zbatuar marrëveshjen paraprake.
“Fatkeqësisht, Serbia reagoi me forcë, duke përfshirë edhe tanke, automjete të blinduara e luftarake. Përveç këtyre ka angazhuar aeroplanë ushtarakë të prodhimit rus”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se sulmet në Zubin Potok dhe Jarinë kanë ardhur pas deklaratave provokuese të Vuçiqit.
Kryeministri i Kosovës shtoi se menjëherë e ka pranuar propozimin e komandantit të KFOR-it për zëvendësim të pjesëtarëve të Njësive speciale të policisë së Kosovës me pjesëtarë të KFOR-it, por atë e refuzuan përfaqësuesit zyrtarë të Serbisë dhe Listës serbe.
