Fokus i qeverisë,përmirësimi i klimës për biznese

TË FUNDIT

Rënia e investimeve të huaja dhe mungesa e energjisë elektrike, ka shtyrë Qeverinë e Kosovës të punojë në Planin Nacional për Zhvillim që do të qartësojë rrugën, strategjinë dhe masat për zhvillim më të shpejtë ekonomik.Fokus i kësaj qeverie mbetet edhe përmirësimi i klimës për bizneset.

Kështu u tha në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, në të cilin takim si problematike doli të jetë edhe kohëzgjatja e kontesteve biznesore.

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, deklaroi gjatë këtij takimi se po punojnë në disa sektorë strategjikë sa i përket përmirësimit të legjislacionit dhe përmirësimit të politikave të cilat mundësojnë tërheqjen e investimeve.

Sa i përket problemeve për mungesë të energjisë elektrike, kreu i Qeverisë tha se po i shohin mundësitë e çuarjes parapara të projektit të ndërtimit “Kosova e re”, dhe janë në fazën e shqyrtimit të alternativave tjera të furnizimit me energji elektrike.

Në këtë Këshill, temë diskutimi ishte edhe adresimi i ankesave të investitorëve ndaj institucioneve të Kosovës. Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, theksoi se roli i kësaj Ministrie është edhe shqyrtimi i ankesave të investitorëve të huaj për barrierat dhe pengesat që ata i hasin.

Kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, kërkoi shkurtimin e kohëzgjatjes së kontesteve biznesore.

Ai theksoi se me këto procedura të zgjatura, as një investitor serioz nuk do të mund të konsiderojë një biznes të përshtatshëm në mbrojtjen efektive të kontratave.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, kërkoi të mos kenë proceduara apo ngarkesa nga Dogana e Kosovës për bizneset.