Ekonomia e Maqedonisë së Veriut këtë vit do të regjistrojë rritje prej 1,4 për qind, ndërsa vitin e ardhshëm 3,6 për qind, vlerëson Fondi Monetar Ndërkombëtarë (FMN) në botimin e publikuar për ekonominë botërore në vitin 2023.
Sipas të njëjtit publikim, këtë vit inflacioni në vend do të ngadalësohet dhe do të jetë 9,2 për qind.
Nga vendet e rajonit, rritje më të madhe të ekonomisë këtë vit do të regjistrojnë Kosova 3,5 dhe Mali i Zi 3,2 për qind. Kështu, BPV-ja në Greqi do të rritet për 2,6 për qind, në Shqipëri për 2,2, në Serbi dhe Bosnje e Hecegovinë për 2,0, në Kroaci 1,7 dhe në Bullgari për 1,4 për qind.
Në nivel botëror, FMN-ja sivjet nuk pret recesion, por rritje prej 2,8 për qind në lidhje me vitin 2022. Fondi nuk pret recesion as në SHBA, duke parashikuar rritje prej 1.6 për qind.
Eurozona do të shënojë rritje prej 0,8 për qind, por me rënie të ekonomisë më të madhe botërore – atë gjermane prej 0,1 për qind.
Më pozitive janë projeksionet e FMN-së për ekonomitë aziatike. BPV-ja në Kinë këtë vit do të rritet për 5,2 për qind, India do të shënojë rritje prej 5,9 për qind, ndërsa mbi pesë për qind do të rriten edhe ekonomitë e Vietnamit, Indonezisë dhe Filipineve.
Recesion nuk është paraparë as në Japoni (rritje prej 1,3 për qind), as edhe në Rusi, për të cilën FMN-ja vitin e kaluar parashikoi madje rënie të aktivitetit ekonomik prej 2.1 për qind, ndërsa tani paralajmëron rritje prej 0,7 për qind për vitin 2023.
Inflacioni botëror do të zvogëlohet edhe pse më ngadalë nga parashikimi fillestar, prej 8,7 për qind vitin e kaluar në 7 për qind këtë vit dhe në 4,9 në vitin 2024, theksohet mes tjerash në parashikimin e FMN-së.
