“Fluturojnë” çmimet e frutave dhe perimeve! Tregu i Kumanovës bosh – qytetarët ankohen për çmime të papërballueshme

TË FUNDIT

Mesditë e së mërkurës! Tregu i gjelbër në Kumanovë thuajse bosh!  Ata pak që takuam thanë se po blejnë vetëm gjërat elementare, duke u ankuar se çmimet janë bërë të papërballueshme si të fruta-perimeve ashtu edhe artikujve të tjerë.

-Shumë shtrenjtë në raport me pagat e pensionet, gjithçka është shtrenjtuar! Pa dallim si fruta-perimet ashtu dhe buka, nuk ka më asgjë lirë. Shumë kemi të punësuar politikanë dhe votuesit e tyre që janë angazhuar duhet të marrin diku rrogë: të kam votuar e më paguaj. Andaj e pësojnë këta që nuk janë në politikë, kategoritë që e kanë të vështirë të futen në treg, të rinjtë që i sheh nëpër kafeteri, vetëm politikanët të jetojnë pjesa tjetër le të ‘vdes’.

-Kurrë nuk pyes për çmime, atë që e ka nuk mund ta bëjmë pazar. Çfarë ti them a bën apo nuk bën?! Nuk ja vlen.

-Në përgjithësi si të duken çmimet konform standardit jetësor?

-Përkrah standardit jetësor çmimet janë të shtrenjta por edhe këta tregtarët duhet të jetojnë.

-Mendoj se është shtrenjtë! Çmimet janë të larta si të perimeve ashtu dhe të frutave sipas pagave dhe të ardhurave të qytetarëve. Po vlerësoj se njëra nga arsyet është edhe mos prodhimi i mjaftueshëm i bujqve tanë, plasmani i pa sigurt i kulturave bujqësore, shtrenjtimi i lëndës së parë që e përdorin dhe ky është rezultat i kësaj situate.

Tregtarët thonë se çmimet janë rritur nga tregtarët me shumicë. Mëngjesin e sotëm në tregun me shumicë – të njohur si “Kvantashki” – një kilogram kastravec është shitur 150 denarë.  Disa thonë se fruta-perimet në këtë periudhë importohen nga jashtë, kryesisht Turqia e Greqia dhe si pasojë e transportit dhe zhdoganimit të mallit janë ngritur edhe çmimet me pakicë.

-Çmimet janë të shtrenjta në përgjithësi 30-40 den/kg e lakrës, specat 200 denarë. Me rrogën e këtuhit nuk mund të jetohet.

-Kohëve të fundit cilat produkte janë shtrenjtuar më shumë?

-Specat, bananet, ja mollat 50-60 denarë kilogrami, bananet janë bërë 75.

-A ndikojnë edhe festat e fundvitit?

-Po ndikojnë, madje tash akoma këto ditët e fundit të festave pritet ende të rriten çmimet.

Përndryshe, sipas Entit të Statistikave në nëntor shpenzimet për jetesë kanë qenë 4% më të larta krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë është rritur me 3%. Vetëm brenda një muaji, nga tetori në nëntor, inflacioni është rritur me 0.5%. Grupi i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike shënon rritjen më të theksuar. Nëntorin e këtij viti, çmimet janë rritur me 5.4% në krahasim me një vit më parë. Frutat janë shtrenjtuar me 18%, ndërsa mishi, vajrat dhe yndyrat ushqimore kanë çmime mbi 7% më të larta. Rritja më drastike vërehet te produktet që varen nga bursat botërore – kafja, çaji dhe kakaoja me 27%.