Tre persona mbrëmë janë vrarë dhe një është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një autobusi në afërsi të fshatit Gllogjan të Komunës së Deçanit.
I plagosuri është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin e Pejës. Ndërsa, mjekët thonë se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.
Zëdhënës i Spitalit Rajonal të Pejës, Naim Sahiti ka konfirmuar për rtv21.tv së gjendja e të plagosurit është e mirë.
Po ashtu kryeinfermierja, Hidajete Krasniqi në një prononcim për RTV21 tha se operimi është kryer me sukses mbrëmë dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë.
“Gjendja e pacientit është stabile, pas operimit që është kry në orët e vona të mbrëmjes. Iu është hequr pjesa e mbetur plumbi, operimi është kryer me sukses dhe pacienti është në gjendje të mirë”, tha ajo.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka thënë se dyshohet se autobusi është sulmuar me kallash AK-47 nga një i dyshuar i panjohur./21Media
