Pas reagimeve të shoqatave të romëve lidhur me fjalët ofenduese që janë futur në fjalorin e ri digjital, Instituti për gjuhën maqedonase i tërhoqi termat – cigan, ciganxhi, ciganshtija, ciganshtenje. Kontestimi është se në këtë fjalor nuk është cekur apo shpjeguar se fjala përdoret për t’i nënvlerësuar romët. Ajo që mund të vërehet është se në fjalorin fare nuk figurojnë fjalët “shiptar”, “egeec” ose “balija”, të cilat në shoqëri përdoren për të nënçmuar ndonjë person për shkak të etnisë së tij. Ministrja e Arsimit, Milla Carovska, thotë se profesorët kanë vendosur t’i tërheqin këto fjalë pas reagimeve të shumta të qytetarëve, duke shtuar se do të ketë revidim.
“Ato janë fjalë që shkencëtarët ose profesorët e institutit i kanë mbledhur dhe interpretuar, megjithatë përmbajtja e tyre është joadekuate, dhe ata vendosën që t’i tërheqin. Kjo ishte e aksesueshme për opinionin publik, që do të thotë se fjalët nuk zhduken. Vetë profesorët që i kanë vendosur fjalët mendojnë se të njëjtat duhet të rishqyrtohen pas reagimeve të qytetarëve të cilëve kjo gjë u pengon”, tha Carovska.
Reaguan profesorë dhe linguistë të cilët mendojnë se fjalët nuk duhet të fshihen por duhet të shpjegohen në çfarë kuptimi po përdoren.
“Në fjalorin e gjuhës maqedonase nuk bëhet asnjë dëm me heqjen e fjalëve ofenduese, për shkak se kjo nuk është e mundshme. Fjalët ekzistojnë ose kanë ekzistuar. Dëmi i vërtet qëndron në atë se ju si institucion që e përpiloni këtë fond fjalësh, të digjitalizuar, të shkruar dhe të publikuar, nuk i interpretoni në mënyrë precize fjalët dhe përdorimin e tyre, nuk i përfshini gjërat thellësisht (edhe pse punoni në to me dekada të tëra), por e bëni këtë me qëllim të caktuar, shpejt e shpejt duke lejuar që në të gjithë këtë tollovi në mënyrë shtesë ta erëzojnë edhe politikat ditore”, tha profesoresha e gjuhës maqedonase Tatijana B Eftimovska.
Përndryshe para dy ditëve Qeveria e promovoi ueb- platformën makedonski.gov.mk në të cilën është i aksesueshëm fjalori interpretues i gjuhës maqedonase. Sipas përshkrimit ky fjalor përmban mbi 100 mijë fjalët më të përdorura të gjuhës maqedonase bashkëkohore.
