Heqja me dhunë e të drejtës themelore për jetën, posaçërisht kur bëhet fjalë për një fëmijë, nuk është vetëm një akt egërsie dhe brutaliteti, por sulm i drejtpërdrejtë ndaj njerëzimit – tha prokurorja Zhanklina Trajkovska në fjalën përfundimtare për rastin e vrasjeve të Vanja Gjorgjevska dhe Pançe Zhezhovski, përcjell TV21. Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ajo sot theksoi se krime të tilla meritojnë “jo vetëm dënim ligjor, por edhe dënim të thellë moral.”
Të motivuar nga shuma të mëdha parash të premtuara, siç theksoi ajo, të akuzuarit kanë krijuar një “skenar filmik, një plan makabër.” Prokurorja theksoi se të dënuarit nuk kanë treguar asnjë shenjë njerëzimi gjatë rrëmbimit të Vanjës, edhe pse, siç tha ajo, kanë fëmijë të tyre.
