FIZHT,  shpallen 4 fitues të laboratorëve “Makerspace”/ Studentët do të mund të zhvillojnë potencialin përmes hulumtimeve 

TË FUNDIT

 

Tre Universitete dhe një Shoqatë Qytetare janë fitues të projektit për vendosjen e hulumtimeve laboratorike, krijimit dhe inovacioneve – Makerspace. Bëhet fjalë për Universitetin e Tetovës, Universitetin e Evropës Juglindore, Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip si dhe Shoqata e qytetarëve “Shoqata Maqedonase Biologjike” Shkup. Këto laboratori të rinjve do u mundësojnë qasje deri te teknologjitë e avancuara përmes së cilave do të mund ta materializojnë atë që e kanë menduar. Drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili, thotë se qëllimi është që të rinjtë të zhvillojnë potencialin e tyre në ndërtimin e karrierës.

 

“Me ngritjen e katër laboratorëve të rinj ne po u japim mundësinë të rinjve entuziastë të përmirësojnë aftësinë dhe potencialin e tyre, të marrin pjesë drejtpërdrejt në hulumtimin shkencor dhe të ndikojnë në zhvillimin e karrierës së tyre dhe të shoqërisë sonë. Me këtë lloj aktiviteti ne kontribuojmë ndjeshëm në ngritjen e një sistemi Heliks të katërfishtë, duke përfshirë akademi, sektorin civil, sektorin privat si dhe sektorin publik.”- deklaroi Festim Halili – Drejtor I FIZHT

 

 

Rektori i UEJL-së, Abdulmenaf Bexheti, shprehet se ky laborator do të jetë shumë i dobishëm për studentët.

 

 

“Në këtë drejtim, mendoj që laboratori që do të dedikohet për punën praktike të studentëve do të jetë shumëfish i dobishëm, jo vetëm për studentët por edhe për komunitetin e Biznesit, por edhe për kompanitë me të cilat ne kemi relacione shumë të zhvilluara.”- tha Abdulmenaf Bexheti – Rektor I UEJL

 

 

Edhe rektori i Universitetit të Tetovës, Kushtrim Ahmeti, thotë se laboratori që kanë fituar do të shfrytëzohet për hulumtime shkencore në sigurinë kibernetike.

 

“Është një përgatitje e jashtëzakonshme, një mundësi shumë e mirë edhe për hulumtime shkencore duke pasur parasysh se pikërisht njëra ndër sfidat me të cilat ballafaqohet shoqëria jonë ka të bëjë me sigurinë kibernetike por edhe krimet të cilat ndodhin në fushën digjitale.”- deklaroi Kushtrim Ahmeti – rektor i Ut-së

 

 

Përndryshe laboratorët “MAKERSPACE” përshtaten për nevojat e sektoreve shkencoro-teknologjike apo industriale. Veçanërisht mbështeten projekte të cilat kanë karakter interdisiplinor dhe nënkuptojnë bashkëpunim ndërsektorial mes institucioneve të arsimit të lartë.