Galatasaray hedh hapin e parë drejt çerekfinales së Ligës së Kampionëve, pasi mposhti 1-0 Liverpoolin në ndeshjen e parë të 1/8-ës, të zhvilluar në RAMS Park.
Skuadra turke e nisi me shumë ritëm takimin, ndërsa mysafirët patën një rast të artë që në fillim të ndeshjes. Florian Wirtz përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Galatasarayt dhe doli përballë portës së zbrazët, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë.
Goli që vendosi fatin e takimit erdhi në minutën e 7-të. Pas një goditjeje nga këndi, Victor Osimhen devijoi topin drejt zonës, ndërsa Mario Lemina e çoi me kokë në rrjetën e Liverpool FC, duke i dhënë epërsinë vendasve.
Pjesa e parë vazhdoi me raste nga të dyja skuadrat, por pa ndryshim rezultati.
Në pjesën e dytë, Liverpooli tentoi të barazonte. Në minutën e 72-të, Virgil van Dijk arriti të shënojë, por pas rishikimit nga VAR-i, goli u anulua për prekje të topit me dorë.
Deri në fund të ndeshjes, Galatasaray arriti të ruajë portën e paprekur dhe të sigurojë një fitore të rëndësishme në shtëpi, duke marrë avantazh për sfidën e kthimit në kuadër të UEFA Champions League.
