Filmi ‘Agnus Dei’, fitues i trefishtë në Los Anxhelos

TË FUNDIT

Filmi nga Kosova AGNUS DEI, me skenar e regji të Agim Sopit, është shpallur fitues i trefishtë në festivalin Legends of Hollywood International Film Festival i cili ka përfunduar mbrëmë në Los Angeles të SHBA-ve. Në festivalin që parashenjë ka nostalgjinë dhe respektin për legjendat e Hollywoodit, kanë aplikuar më shumë se 5800 filma nga më shumë se 100 vende të botës, shkruna kultplus.

Festivali ka seleksionuar 186 filma në gjashtë kategori, në mesin e të cilëve është përzgjedhur edhe filmi i vetëm shqiptar, Agnus Dei i cili në natën gala është shpallur Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë /Best Feature Film/, Agim Sopi është shpallur Regjisori më i mirë /Best director/, kurse Zhaklina Oshtir, Aktorja kryesore më e mirë /Best Main Actress/.

Me këto tri çmime të reja, Agnus Dei shënon një jubile të jashtëzakonshëm duke radhitur pas vetes 50 çmime kinematografike ndërkombëtare.

Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm i filmit Agnus Dei, lidhet me International World Film Festival, një institucion që pretendon të shndërrohet në festën më të madhe kinematografike të botës. Festivali me rrjetin më të madh ndërkombëtar, parashihet të mbledh më shumë se 500.000 spektatorë në edicionin e vitit 2015.

Si pjesë zyrtare e këtij festivali që mbahet nga data 10 – 20 nëntor dhe i cili organizohet në nëntë qytetet më të rëndësishme të botës, si Nju-Jork, Los Anxhelos, Toronto, London, Paris, Berlin, Singapore, Hong Kong dhe Melburne, Agnus Dei është përzgjedhur në mesin e tre filmave të cilit i është ofruar një distribucion i fuqishëm ndërkombëtar nga firma e njohur Intellect Pictures nga Toronto në bashkëpunim me HBO nga Nju-Jork-u.

Këto firma prestigjioze, do ta distribuojnë filmin Agnus Dei në rrjetin e jashtëzakonshëm të AMC Theatres që në gjirin e vet numëron 5700 salla kinemash në gjithë botën, njofton “Bota sot”.