Premtonin se imunizimi masiv do të fillonte kah fundi i muajit mars dhe e qëlluan…
“Besoj se kah fundi i marsit apo në fillim të prillit do të jemi gati për vaksinimin masiv”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev (24.03.2021).
Por, në vend se të fillojë në Maqedoni, imunizimi masiv filloi në Serbi. Qindra automjete me qytetarë të Maqedonisë këtë mëngjes u rreshtuan në kolona të gjata në Tabanoc. Shumë qytetarë nga vendi ynë u vendosën të vaksinohen në Nish dhe Beograd, sepse nuk duan ta presin imunizimin që paralajmërohet shumë kohë në vendin tonë.
Në Tabanoc pritej edhe nga 40 minuta…
Qytetarët e Maqedonisë u vendosën në mënyrë elektronike të paraqiten përmes ueb-faqes “E-Uprava”.
Me maska dhe duke mbajtur distancë prisnin para sallës së Panairit të Beogradit.
“Vij nga Shkupi… Të dielën presim të mbërrijnë 1.000 vaksina përmes kovaks-sistemit. Kush e di kur do të vij në radhë, kështu që vendosa të vij këtu në Beograd”, tha një qytetare nga Maqedonia.
Para se ta pranojnë vaksinën, duhet të nënshkruajnë se po pajtohen, pas çka do të kontrollohen nga një mjek i cili do t’u japë vërtetim se mund të vaksinohen. Pasi ta mbarojnë këtë procedurë administrative, personat regjistrohet në databazën e të vaksinuarve dhe marrin dokument se janë vaksinuar.
“Pas marrjes së vërtetimit, duhet të shkojnë në pikën ku punojnë infermieret tona, që në fakt është pika e vaksinimit dhe atje e pranojnë vaksinën”, u shpreh Dragana Millosheviq – mjeke.
Oda e Hotelierëve në faqen e saj në Fejsbuk publikoi se në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Serbisë për të gjithë hotelierët dhe punëtorët hotelierikë, duke i përfshirë edhe muzikantët që kanë shprehur interes, është siguruar vaksinim falas në Nish.
“Për të gjithë hotelierët dhe punëtorët hotelierikë, duke i përfshirë edhe muzikantët që kanë shprehur interes, pa dallim nëse janë anëtarë apo jo të ndonjë ode apo shoqate, është siguruar vaksinim falas në Nish sot dhe nesër prej orës 08 deri në 20:00”, potencojnë nga Oda e Pavarur e Hotelierëve.
Por, ka edhe qytetarë që ankohen në rrjetet sociale se nuk mund të shkojnë për vaksinim në Serbi sepse termini u është caktuar për më vonë. Ata nuk mund të lëvizin për shkak të orës policore, kurse Ministria e Punëve të Brendshme nuk u jep leje për lëvizje…
Gjatë periudhës së kaluar qindra qytetarë të Maqedonisë u vaksinuan në Serbi, veçanërisht ata që kanë dokumente serbe. Javën që lam pas, përmes Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë, në Vranjë u vaksinuan edhe disa nga gazetarët e Maqedonisë. Në fillim të shkurtit, Serbia dhuroi 8 mijë doza të cilat ishin shfrytëzuar për punëtorët shëndetësorë. Pastaj, arriti vaksina ruse “Sputnik”, dhe në vend se të vaksinohet kategoria e rrezikuar e qytetarëve, sërish ishin përdorur për të punësuarit në shëndetësi. Këto ishin sasitë e vetme që arriti t’i marrë Maqedonia. Vaksinat kineze po vonojnë, kurse askund nuk është as ndihma që e premtuan Bullgaria dhe Greqia.
