Fillon procesi për shfuqizimin e qeverisë teknike! Opozita kundër – kërkon konsensus, pushteti thotë se është zgjidhje e tejkaluar

TË FUNDIT

Me 67 vota pro dhe 13 kundër, të gjitha nga opozita, Kuvendi konstatoi nevojën për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Qeverinë, me të cilat propozohet shfuqizimi i Qeverisë teknike, e njohur si Qeveri e Përzhinës. Nga opozitarja LSDM kërkojnë që ndryshimet të miratohen me konsensus, njësoj siç janë miratuar më parë, e jo siç është propozuar tani me procedurë të shkurtuar. Koordinatori i grupit parlamentar socialdemokrat, Oliver Spasovski, tha se pikërisht me kërkesë të Hristijan Mickoskit janë miratuar më pas ndryshimet që qeveria teknike të funksionojë deri në hyrjen e vendit në BE.

“Mendoj se nuk ka nevojë për asnjë ngutje sa i përket zgjidhjes ligjore, të kthehemi në formatin në të cilin kemi diskutuar për këtë çështje, e cila në fakt është me kërkesë të kryetarit tuaj. Atëherë është miratuar zgjidhja ligjore që e kemi, me konsensus me partitë politike dhe përmes dialogut në Kuvend, le ta rikthejmë atë”, tha Oliver Spasovski – LSDM.

Kundër shfuqizimit të Qeverisë së Përzhinës janë edhe nga Fronti Europian. Deputetja Arbana Pasholli gjithashtu kërkoi që gjithçka që është arritur me konsensus dhe mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, në të njëjtën mënyrë edhe të ndryshohet.

 “Konsiderojmë se gjithçka që është arritur me marrëveshje politike dhe me mbështetje ndërkombëtare duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë edhe kur kërkohet të ndryshohet. Në këtë drejtim, mendoj se nuk do ta mbështesim”, tha Arbana Pasholli – Fronti Europian.

Ndaj qëndrimit të BDI-së reagoi deputetja e VLEN-it Saranda Imeri

“Qëndrimi i BDI-së është hipokrizi e pastër, përpjekje për të shtrembëruar realitetin politik. Qeveria teknike nuk ishte ndonjë standard demokratik për t’u mbrojtur sot, por një zgjidhje emergjente e imponuar nga një krizë e thellë politike, krizë që erdhi si rezultat i bashkëqeverisjes së kompromituar dhe skandaleve të rënda ku BDI ishte pjesë në partneritet me regjimin e Nikolla Gruevskit. Le të kujtojmë pse u krijua kjo qeveri, për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në një moment kur shteti ishte i kapur nga përgjimet masive, abuzim me pushtetin dhe një krizë të thellë besimi”, tha Saranda Imeri nga VLEN.

Koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, pyeti pse opozita është kundër këtij ndryshimi, pasi sipas tij, Qeveria e Përzhinës është një zgjidhje e tejkaluar.

“Bëhet fjalë për një zgjidhje ligjore që do të vlejë jo nga zgjedhjet e ardhshme, por nga zgjedhjet pas tyre, me çka ju jepet siguri. Nëse mendoni se diçka nuk është e mbrojtur në procesin zgjedhor, ju nuk lejoni të fillojmë me gjithë atë procedurë. Po, është me procedurë të shkurtuar, por do të ketë mjaftueshëm kohë për të paraqitur amendamente, për t’i diskutuar ato veçmas dhe në fund të vihet në votim kjo zgjidhje ligjore”, u shpreh Nikolla Micevski – VMRO-DPMNE.

Ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, me të cilat parashikohet qeveria teknike, janë një zgjidhje nga Marrëveshja e Përzhinës e vitit 2015, e cila kishte vlefshmëri vetëm për zgjedhjet e vitit 2016, përkatësisht ato që u organizuan pas krizës politike. Me këtë parashihet që 100 ditë para zgjedhjeve të formohet qeveri teknike, në të cilën në disa ministri përfshihen kuadro nga opozita, me qëllim sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.