Rusia ka nisur sot stërvitjen më të madhe ushtarake të vitit, e koduar me emrin “Qendra 2015”, në të cilën janë të përfshirë rreth 95 mijë ushtarë, përfshirë këtu pjesëtarët e këmbësorisë, si dhe ata të forcave detare dhe ajrore.
Së fundmi Rusia i ka shtuar ndjeshëm stërvitjet e paparalajmëruara ushtarake, për të testuar kapacitetet e saj nga Arktiku deri në Lindjen e Mesme, në kohën kur marrëdhëniet me Perëndimin kanë rënë në nivelin më të ulët historik, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, për shkak të krizës në Ukrainë.
Manovra “Qendra 2015” është e përqendruar në 20 baza në mbarë rajonin qendror ushtarak të Rusisë, që shtrihet nga lumi Volga deri në malet Ural dhe në Siberi, ndërkohë që përfshin edhe zona në veriun e largët të Rusisë.
Forcat nga vendet anëtare të së ashtuquajturës Organizata e Sigurisë Kolektive, ku bëjnë pjesë ish-vende të bllokut sovjetik, janë përfshirë gjithashtu në këtë stërvitje.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se manovra synon testimin e gatishmërisë së trupave ushtarake, për të reaguar ndaj konflikteve të armatosura në arenën ndërkombëtare./21Media
