Faza e parë e hapjes së turizmit grek fillon sot, por vetëm për vizitorët nga vende të caktuara dhe vetëm në aeroportet e Athinës dhe të Selanikut, ndërsa në fazën e dytë, më 1 korrik, do të hiqen të gjitha ndalimet dhe kufizimet dhe të gjitha aeroportet në Greqi do të hapen, po ashu edhe një pjesë e kufijve tokësorë me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.
Paralelisht, përveç hapjes së pjesshme të turizmit, sot në Greqi ka një shfuqizim shtesë të masave kufizuese dhe ndalesave të punës, kështu që objektet turistike sezonale, muzeumet, qendrat e fitnesit dhe spa qendrat do të fillojnë të punojnë përsëri.
Përveç vendeve që janë në listën e Organizatës Evropiane për Aviacion të Sigurt, që nga sot, lejohen fluturime drejt dhe nga Italia, Spanja dhe Holanda, ndrësa vazhdon ndalimi për Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Turqinë dhe Britaninë e Madhe.

Për periudhën midis dy fazave, respektivisht deri më 1 korrik, për turistët që do të arrijnë në Greqi nga aeroportet që nuk janë në listën e Organizatës Evropiane për Aviacion të Sigurt, janë planifikuar testime të rastit, ndërsa për pasagjerët nga Italia, Holanda dhe Spanja, testimi është i detyrueshëm.
Puna në aeroportin e Athinës për shkak të Kovid-19, nuk u ndërpre fare, por të gjithë pasagjerët testoheshin dhe transferoheshin në karantinë shtetërore.
Edhe Aeroporti i Selanikut u rihap sot pas një pushimi tremujor.
Gjatë ditës së sotme, planifikohet që në Athinë të arrijnë pasagjerë nga Qiproja, Holanda, Franca, Katari, Italia, Austria, Zvicra, Gjermania, Hungaria, Serbia, Bullgaria dhe në aeroportin e Selanikut priten të arrijnë pasagjerë nga Gjermania dhe Qiproja.
Nëpër aeroporte dhe në aeroplanë është i domosdoshëm përdorimi i maskës, si për turistët ashtu edhe për stafin.

Nga 1 korriku do të hapen aeroportet në të gjithë Greqinë, do të hapen shtatë vendkalime kufitare dhe anijet lundruese do të lejohen të sjellin turistë nga gjashtë porte greke.
Të gjithë turistët do të duhet të kenë plotësuar një formular (Passenger Load factor” me të dhëna për kontaktet e tyre në Greqi, do të bëhen testime të rastit, dhe çdo rast pozitiv do të jetë 14 ditë në karantinë dhe të akomodohet në një hotel-karantinë.
Turistët nga Maqedonia e Veriut do të mund të udhëtojnë për në Greqi nga 1 korriku, por vetëm përmes kryqëzimit Evzoni (Bogorodicë)
Në dy javët e ardhshme, deri më 30 qershor, do të lejohen fluturimet nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, por vetëm për qëllime specifike dhe jo për turistët dhe vetëm për në aeroportin e Athinës.
Asnjë fluturim nga vendi ynë apo Shqipëria nuk lejohet në aeroportin e Selanikut.
Nëse gjithçka shkon mirë, Greqia do të hapë kufijtë e saj tokësorë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë më 1 korrik, dhe jo sot, siç u njoftua fillimisht, ndërsa do të funksionojnë vetëm disa vendkalime kufitare, për vendin tonë funksional do të jetë vetëm kalimi kufitar Evzoni (Bogorodica).
Në periudhën deri më 30 qershor të vitit 2020, me rrugë tokësore lejohen vetëm udhëtimet e domosdoshme zyrtare, ndërsa është hapur kufiri me Bullgarinë.
Nga ishulli Grek i Santorinit, në mënyrë simbolike njoftohet fillimi i sezonit turistik në Greqi
Kryeministri grek, Kirijakos Micotakis, siç raportoi tashmë MIA, përmes një konference për shtyp të destinuar ekskluzivisht për korrespondentët e huaj në Greqi, të shtunën në mbrëmje nga ishulli i Santorinit, shënoi në mënyrë simbolike fillimin e sezonit turistik.

Ai theksoi se Greqia është një destinacion i sigurt dhe prioritet mbetet garantimi i sigurisë dhe shëndeti i të gjithë turistëve.
“Unë nuk jam i interesuar që Greqia të jetë destinacioni numër një në Evropë, unë jam i interesuar që Greqia të jetë destinacioni më i sigurt në Evropë,” tha kryeministri grek.
Kirijakos Micotakis nga Santorini shpjegoi se vendi është i përgatitur për të gjitha skenaret, në rast se Kovid-19 paraqitet tek ndonjë prej turistëve, por theksoi se nuk do të jetë e nevojshme që Greqia të futet në karantinë të plotë dhe të ketë ndalim të plotë të lëvizjes dhe përsëriti që më 1 korrik, vendi do të jetë i hapur për të gjithë turistët, pa kufizime shtesë dhe vetëm me testime të rastësishme.
Për “ristartimin” e turizmit, gjithashtu nga Santorini, foli edhe ministri kompetent.

Ministri grek i Turizmit, Haris Teoharis në një konferencë shtypi tha se “miliona turistëve po ua kthejnë të drejtën e tyre për të kaluar verën në Greqi” dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së shëndetit të turistëve dhe punonjësve të turizmit.
“Si ministër i Turizmit dhe kryesisht si qytetar grek, është një nder i madh për mua dhe jam thellësisht i emocionuar që jam pjesë e kësaj përpjekje kombëtare. Por ndihem edhe më i përgjegjshëm për atë që po fillojmë sot. Vërtet, ky është një moment historik. Nga Santorini, ne po rihapim turizmin grek, me siguri absolute për turistët, punonjësit, biznesmenët, për këdo që është i përfshirë në sektorin e turizmit”, tha Teoharis dje në një konferencën e shtypit.

Përveç lejeve për fluturime drejt dhe nga Selaniku dhe Athina, sot hapen objektet turistike sezonale, për të cilat do të zbatohen protokollet shëndetësore specifike të punës, ashtu siç zbatohen edhe për hotelet që u hapën në fillim të këtij muaji./MIA
