Filloi zbatimi i  “shportës shkollore”, qeveria pret deri në 3.000 denarë kursim në buxhetin familjar

TË FUNDIT

Filloi masa qeveritare “Shporta shkollore” me të cilën ulen çmimet e mjeteve shkollore. Çmimet e reja, sipas vendimit të qeverisë, llogariten duke i kthyer çmimet e produkteve të përfshira në masë në nivelin e 1 qershorit 2025 dhe mbi to bëhet ulje prej 10% në shumicë dhe 15% në pakicë. Kjo masë, e cila do të vlejë nga sot, 15 gusht, do të zgjasë një muaj dhe përfundon më 15 shtator. Sipas kryeministrit Hristijan Mickoski, qëllimi i masës është mbrojtja e standardit të qytetarëve që kanë fëmijë nxënës.

“Para fillimit të vitit shkollor, kufizimi i marzhave, dhe si referencë të jenë çmimet e 1 qershorit për mjete shkollore, pajisje dhe lloje të tjera ndihmash që u nevojiten nxënësve, por edhe që ta lehtësojmë, do të thosha ta bëjmë më të përballueshme gjendjen me buxhetin familjar, dhe këtë ne do ta bëjmë. Dhe e bëjmë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Produkti Shënim / Kategoria
1Fletore Dimensione të ndryshme dhe me vija/katrorë
2Çanta Çanta shkollore
3Lapsa Të zakonshëm, grafit
4Ngjyra Druri ose dylli
5Flomasterë Ngjyra të ndryshme
6Kalkulatorë Modele bazë për nxënës
7Gërshërë Për fëmijë ose standarde
8Ngjitës Lëng ose në shkop
9Dosje Plastike, kartoni, me kapëse
10Materiale të tjera bazë –etj.Seta gjeometrie, gomë, stilolapsa

Sipas zëvendësministrit të ekonomisë Marjan Risteski, me këtë masë do të ketë kursim të konsiderueshëm në buxhetet familjare.

“Po ashtu, të theksoj se me këtë vendim presim të ketë kursim në standardin e jetesës për nxënësit në familje prej 850 deri në 2.000 denarë, ose përafërsisht, ose aty ku ka dy nxënës ose më shumë, do të ketë kursim prej së paku 3.000 denarë gjatë muajit shtator, përkatësisht një nga muajt më të vështirë, kur edhe familjet në Maqedoni përgatiten për sezonin e gjatë dimëror, kur kanë shpenzime për sigurimin e druve për ngrohje, shpenzime për përgatitjen e ushqimeve dimërore e kështu me radhë”, u shpreh Marjan Risteski, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Punës.

Ndërkaq, sa respektohet masa, nuk mundëm të përcaktojmë, pasi askush nga shitësit e kontaktuar nuk lejoi xhirim në pikat e tyre të shitjes. Ndoshta kjo ndalesë vjen nga fakti se deri dje kanë pritur që qeveria t’u tregojë çmimet e reja dhe të fillojnë me ndryshimin e tyre, ndonëse mënyra se si ato përcaktohen dihet rreth 10 ditë dhe bazohet në çmimet që i kishin pikërisht shitësit më 1 qershor.