Filloi vaksinimi masiv me vaksinën kineze “Sinofarm”! Turmë e madhe dhe pa distancë para pikës më të madhe për vaksinim

TË FUNDIT

Turmë e madhe dhe qytetarë pa distancë. Kështu ishte gjendja sot para pikës më të madhe për vaksinim “Boris Trajkovski” në Shkup. Përveç rivaksinimit, sot filloi edhe imunizimi masiv me vaksinën kineze “Sinofarm” e cila në vendin tonë mbërriti javën e kaluar. Pjesëtarët e shërbimit të Policisë dhe Armatës e siguronin hyrjen e sallës, kurse shpërndanin edhe shishe me ujë për qytetarët të cilët prisnin në radhët e gjata. Edhe pse kishin të drejtë zgjedhjeje, qytetarët rekomandojnë se të gjithë duhet ta pranojnë vaksinën.


“Mendoj se me “Sinofarm”, nuk e di, nuk zgjedh. Të gjithë patjetër të vaksinohen, është e mirë për shëndetin e çdokujt”.

“Cila vaksinë do të jetë në rend, kështu më thanë”. 

“Sot, bëhet vaksinim me vaksinën kineze, nuk përzgjedh, me cilëndo që të jetë”.

Kishte edhe të tillë të cilët kishin ardhur për ta pranuar dozën e dytë të vaksinës.

 “Erdha për rivaksinim me “Sputnik”. Të gjithë duhet të vaksinohen me qëllim që ta mposhtim virusin”.

“Detyrimisht të gjithë të vaksinohen. Më mirë të vaksinohesh me cilëndo vaksinë, sesa fare të mos vaksinohesh”.

“Ne jemi vaksinuar me “Sputnik” si punëtorë shëndetësorë, kurse rekomandimi im është që njerëzit të vijnë dhe të vaksinohen, sidomos popullata rome”.

Kjo zonjë konsideron se duhet t’u jepet mundësi qyteteve të zgjedhin cilën vaksinë ta pranojnë.

“Të zgjedhim me cilën vaksinë. Nëse është e nevojshme edhe do të paguajmë. Unë mendoj se duhet të ketë një opsion të tillë”.

Edhe brenda pikës për vaksinim kishte shumë qytetarë. Disa pritnin për t’u lajmëruar, disa për t’u vaksinuar, kurse disa të tjerë ishin ulur pas vaksinimit të kryer.

“U vaksinova me “Sinofarm”, mirë jam, nuk kam problem. Nuk ndodh gjë. Të gjithë të vaksinohen sa më shpejt që është e mundur, që të mos ketë mutacione të reja. Nuk pyeta cila vaksinë është, cilado që të jetë, njësoj edhe po të ishte edhe “Astra Zeneka”.

“Tani për tani ndjehem shumë mirë. Ne jemi pak të moshuar dhe të rinjtë duhet të na dëgjojnë – të gjithë të vaksinohen sepse të gjithë duam jetë normale”.

Punëtorët shëndetësorë u apelojnë qytetarëve që t’i respektojnë masat dhe terminët që të mos krijohen turma shtesë.


“U krijua turmë sepse qytetarët ndoshta nuk i respektojnë terminët e caktuar që u kanë mbërritur në celularët e tyre. Ata kanë marrë një sms-porosi – cilën ditë dhe në sa orë të vijnë”, u shpreh Harkan Memedi – mjek.

Sot startoi imunizimi masiv i popullsisë edhe në qendra të tjera rajonale në vend siç janë: Kumanova, Shtipi, Kavadari, Tetova, Ohri dhe Manastiri. Është paraparë të vaksinohen nga 10 deri në 15 mijë qytetarë në ditë, me çka autoritetet shëndetësore presin që deri në fillim të verës të kemi përqindje të lartë të popullsisë së vaksinuar dhe gjendja epidemiologjike të ndryshojë në tërësi.