Oborret e shkollave këtë vit mbetën pa zhurmën e fëmijëve gjatë regjistrimit të filloristëve të klasës së parë. Një nxënës me një prind, në çdo gjysmë orë, sipas protokollit të paraparë për mbrojtje nga Kovid-19, ashtu filloi regjistrimi i nxënësve të klasës së parë në vend. Në hyrjen e shkollave i pritën mësueset me maska mbrojtëse duke iu dezinfektuar duart dhe këmbët. Ua matën edhe temperaturën trupore.
Në hapësirën ku zhvillohet biseda mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e Komisionit për regjistrim, fëmija dhe njëri prej prindërve apo kujdestarëve të tij.
Drejtoresha e shkollës fillore “Dimitar Makedonski”, Juliana Todorovska tha se paraqitja e fëmijëve është bërë në mënyrë elektronike pas çka është përgatitur orari sipas të cilit nxënësit e klasës së parë duhet të vijnë për t’u regjistruar.
“Në hyrjen e shkollës kemi mësues të cilët janë të përgjegjshëm për dezinfektim dhe të shohin nëse prindërit dhe fëmijët mbajnë maska dhe doreza. Janë siguruar shporta për mbeturinë me kapak, ndërsa është siguruar edhe dezinfektim pas çdo fëmije në distancë kohore prej të paktën 20 minutave”, tha Juliana Todorovska, drejtoreshë e shkollës fillore.
Në shkollat fillore në vend prej sot deri më 30 qershor do të regjistrohen nxënës në klasën e parë për vitin shkollor 2020/21 pasi afatet me dekretin e Qeverisë u prolonguan për një muaj për shkak të mbrojtjes nga infektimi me Kovid-19. Qeveria të premten miratoi protokoll për zbatim të regjistrimit të nxënësve të klasës së parë me masa të caktuara për mbrojtje të shëndetit publik dhe për parandalim të përhapjes së virusit korona.
Në hyrjen e shkollave është e obligueshme të ketë mjet për dezinfektim të këpucëve dhe duarve, si dhe materiale edukativo- informuese për respektimin e masave mbrojtëse.
