Autoritetet ukrainase filluan t’i evakuojnë qytetarët nga qyteti Herson, i çliruar së fundmi nga trupat e Kievit pas okupimit disa mujor rus, njofton DPA.
Njëqind persona udhëtuan me tren deri tek qyteti Hmelnicki në perëndim të Ukrainës, kumtoi Ministria ukrainase e Infrastrukturës. Mes tyre ka 26 fëmijë dhe gjashtë persona të sëmurë. Pas mbërritjes në Hmelnicki, të gjithë të evakuuarit do të marrin vërtetime se janë persona të zhvendosur brenda vendit dhe ndihmë financiare nga shteti.
Në mes të këtij muaji, të shtypur nga kundërsulmi ukrainas, trupat ruse të cilët e sulmuan dhe e morën Hersonin në fillim të marsit u tërhoqën nga qyteti.
Megjithatë, trupat ruse janë sistemuar në pozicionet në bregun e kundërt të lumit Dnepar dhe prej atje gjuajnë me zjarr artilerie. Infrastruktura e Hersonit është shkatërruar deri në atë shkallë që autoritetet ukrainase rekomanduan që qytetarët të largohen përkohësisht nga qyteti.
