Fillkov: Provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike

TË FUNDIT

Derisa krerët e VLEN thonë se kanë marrëveshje me Mickoskin, ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka theksuar se përpjekjet për ta shndërruar këtë çështje në presion politik dhe përballje etnike janë të papranueshme.

Sipas tij provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje profesionalizmi, kompetence dhe respektimi të rendit juridik të shtetit.

Ai vlerësoi se përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për njohjen e gjuhës maqedonase si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm me opinionin publik dhe goditje direkte ndaj rendit kushtetues. Ministri theksoi se gjuha maqedonase është gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut dhe përbën bazën e sistemit institucional dhe juridik.

Sipas Fillkovit, provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje me ligjet në fuqi dhe standardet profesionale, e jo sipas agjendave ditore politike apo presioneve nga rruga.

“Gjuha maqedonase nuk është pengesë — ajo është obligim, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”, thuhet në reagimin e ministrit Filkov.