Fillim i ashpër i Komisionit për ligjet për korridoret, Ademi i dhuroi lule Siljanovskës për ditëlindje

TË FUNDIT

Debat i ashpër mbi ligjet e nevojshme për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D në Komisionin për çështje europiane. Në një moment Bllagica Llasovska nga VMRO-DPMNE pa marrë fjalë,  filloi të fliste në foltore ndërsa kryetari i Komisionit Arbër Ademi vazhdimisht e luste që të largohet nga foltorja. Atmosfera pjesërisht u qetësua kur Ademi i dhuroi lule deputetes Gordana Siljanovska Dafkova për ditëlindjen e saj, ndërsa opozita komentoi se më mirë të hidhen lule se filxhanë për kafe.

Debati filloi me shqyrtimin e amendamenteve për ligjin për marrëdhënie pune, që i dorëzoi VMRO-DPMNE, por i gjithë debati u shndërrua në replika dhe kundër replika. Deputetët e opozitës përsëri me akuza se me flamurin europian për këto ligje, shkelet Kushtetuta dhe konventat europiane, dhe me këtë po mbrohen interesat e biznesit.

“Tani ju e dini se me këtë vendim shkoni kundër vendimit të Gjykatës kushtetuese, e dini se me këtë propozim ligj për ndryshim dhe plotësim të ligjit për marrëdhëniet pune shkoni kundër të gjitha konventave të BE-së. Mbetet fakti se këto ndryshime dhe plotësime të ligjit janë vetëm interes politik i dikujt, interesa të biznesit që po udhëhiqen personalisht nga kryeministri i pazgjedhur dhe rezervë,  Kovaçevski dhe Artan Grubi”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Akuzave iu përgjigj Daniella Koleva nga LSDM, e cila tha se VMRO-DPMNE vetëm përhap gënjeshtra për ta penguar projektin më të madh shtetëror. Me pajtueshmëri me shkrim, punëtorët do të mund të punojnë siç punuan  deri më tani.

“Shumë gënjeshtra dhe manipulime që i bëni në mënyrë të vetëdijshme, e dimë se pse, për ta penguar projektin më të madh që vijon dhe që do të ndërtohet edha krahas pengesave tuaja. Tani bëhet fjalë për punë jashtë orarit të punës për projekte kyçe me interes strategjik që janë me interes publik, i sjellim këto ndryshimet me flamur europian  se kemi partner në ndërtimin e projekteve strategjike ndërsa përballë nesh kemi një opozitë destruktive e cila deri më tani nuk ka përkrahur asnjë projekt strategjik për shtetin”, pohoi Daniella Koleva, LSDM.

Bajram Kadria nga BDI tha se ligjet kanë flamur europian jo vetëm që të mbrohen ligjet por edhe paratë në vlerë prej mbi 1 miliardë euro që po investohen në ndërtimin e korridorit dhe se të njëjtat duhet të kenë edhe flamur amerikan. Me replikë doli Lefkov duke akuzuar për korrupsion.

“Këto ligje nuk i kanë flamujt e apoenave të monedhave që i pranon qeveria jonë, dhe tani doni të thoni se në vend të eurove pranoni vetëm dollarë. Mendoheni nëse me flamur europian ose me atë amerikan. I tillë është ky propozim ligj me flamur europian dhe amerikan”, tha Mile Lefkov, VMRO-DPMNE.

Pas debatit për ligjet e duhura për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10D në Komision ku debati zgjat më së shumti 2 ditë, të njëjtat kthehen në seancë plenare për miratim.