Filipçe: S’negociojmë për qeveri, por për të ardhmen evropiane! VMRO-DPMNE akuzon Filipçen për mbështetje të qëndrimeve bullgare

TË FUNDIT

Pas ftesës së djeshme të kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski që së bashku t’i miratojnë ndryshimet kushtetuese me qëllim që vendi të bëjë një hap përpara drejt eurointegrime, pati reagime në opinion, pasi thirrja e Filipçes nga oponentët politik u interpretua sikur e ftoi Mickoskin për formimin e një qeverie të gjerë. Pas këtyre reagimeve, sot në rrjetin social X kreu socialdemokrat mohoi zërat se ka kërkuar formimin e një qeverie të zgjeruar me Mickoskin, duke sqaruar se thirrja e tij kishte të bënte vetëm me mbështetjen e përbashkët për ndryshimet kushtetuese, integrimin evropian dhe reformat.

“Çfarë lloj qeverie të zgjeruar? Kush foli për qeveri dhe koalicion? E thashë qartë – mbështetje për integrimin evropian dhe reformat. A duhet ta fusim koalicionin e Mickoskit në tender? Nga i doli dikush një ide e tillë?. Ne nuk po negociojmë për vende dhe pozicione. Po flasim për të ardhmen e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Reformat tani. Pakicat në Kushtetutë tani. Evropa tani”, tha Filipçe.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE sërish akuzoi Filipçen dhe LSDM-në se mbështesin qëndrimet bullgare për ndryshimet kushtetuese dhe se po veprojnë në favor të politikave të Bulgarisë.

“Filipçe dhe LSDM kanë të njëjtin qëndrim me autoritetet bullgare se ne jemi “maqedono-veriorë”, se Goce Dellçev është bullgar, por kur vjen tema e ndryshimeve kushtetuese, aty Bullgaria thotë qartë dhe me zë të lartë se ky nuk është hapi i fundit që Maqedonia duhet ta përmbushë për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, ndërsa Filipçe, i shantazhuar për arsye të njohura për të, i gënjen qytetarët se ky është hapi i fundit dhe se të nesërmen do të bëhemi pjesë e BE-së”, tha Valentin Manasievski, zëdhënës i VMRO-DPMNE.

Dje deputeti i DPMNE-së Antonio Milloshoski theksoi se nevojitet një qëndrim i përbashkët i liderëve evropianë lidhur me anëtarësimin e vendit nëBE. Nga ana tjetër, ministrja bullgare e Punëve të Jashtme Velislava Petrova-Çamova dje para deputetëve bullgarë ishte e prerë – Bulgaria nuk do të lejojë rinegocimin e kornizës negociuese për Maqedoninë. Sipas saj Maqedonia mund të vazhdojë rrugën drejt BE-së vetëm nëse zbaton marrëveshjen evropiane të korrikut 2022.