Filipçe premtoi reforma në 35-vjetorin e LSDM-së, Zaev “rrëmbeu” vëmendjen në fund të ceremonisë

TË FUNDIT

LSDM doli sërish para qytetarëve me një qëndrim të qartë për ndryshime dhe kthimin e pushtetit atje ku i takon, në duart e qytetarëve. Ky është mesazhi i dërguar nga udhëheqja dhe anëtarësia e LSDM-së në seancën solemne ku u shënua 35-vjetori i themelimit të partisë. Kryetari Venko Filipçe në fjalimin e tij theksoi se LSDM-ja është e guximshme në zbatimin e reformave në interes të qytetarëve, por dërgoi edhe mesazhe ndaj kundërshtarëve politikë.

“Turpi është në anën e tyre, në anën e poshtërimit të punëtorëve, studentëve, pensionistëve, bujqve. Ju them: koha e gënjeshtrave, e patriotizmit të rremë, e nacionalizmit të egër, e dëmit ndaj marrëdhënieve ndërnacionale dhe interesave të larta nacionale, mbaroi”, tha Venko Filipçe — kryetar i LSDM-së.

Por përveç shënimit të përvjetorit, në opinionin publik duket se më shumë vëmendje tërhoqi shfaqja e ish-kreut të LSDM-së Zoran Zaev, i cili për një periudhë të gjatë nuk ka qenë prezent në publik. Zaevi mbërriti në fund të ceremonisë, dhe anëtarësia e priti në oborrin e partisë.

Nga VMRO-DPMNE këtë e vlerësuan si konfirmim të tezave të tyre se Zaevi është ai që e udhëheq partinë, e jo Filipçe.

“Nëse LSDM-ja dëshiron të reformohet dhe të jetë opozita kryesore në Maqedoni, duhet të distancohet nga krimineli i falur Zoran Zaev. Përndryshe, nëse vazhdojnë në të njëjtën rrugë, kjo është vërtet shumë e keqe për LSDM-në, e cila siç shohim nuk ka ndërmend të ndryshojë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Në shënimin e 35-vjetorit të LSDM-së nuk erdhi kryetari i parë i partisë Branko Çrvenkovski, ndërsa krahas Zaevit morën pjesë disa nga kryetarët e mëparshëm, Vlado Buçkovski dhe Dimitar Kovaçevski.