Filipçe përsëri thirrje për seancë të mbyllur – Qeveria pa përgjigje, e përgatisin letrën për institucionet në Bruksel

TË FUNDIT

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sërish bëri thirrje për seancë të mbyllur parlamentare për të diskutuar për planet dhe hapat e Qeverisë për proceset eurointegruese. Ai nuk pret që pozitat e kryeministrit Mickoski për ndryshimet kushtetuese me prapaveprim të gjejnë mbështetje në Bruksel, andaj mendon se e ka për detyrë t’u shpjegojë deputetëve se çfarë do të bëjë. Filipçe thotë se në lidhje me proceset eurointegruese ka papajtueshmëri mes partnerëve në qeveri.

“Ministrin i tij Murtezanin, e dematoi në deklaratat e tij të fundit se kinse ka mbështetje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese me prapaveprim. Vetë ministri tha se në përgjithësi në Bashkimin Europian, në asnjë vend nuk ka disponim për një gjë të tillë. Pra, mendoj se ato deklarata konfuze, ato tone disonancë në Qeveri lënë përshtypjen se ka mungesë të plotë të perspektivës, duhet të sqarohen në Kuvend”, tha Venko Filipçe.

Ministri Murtezani konfirmoi dje se ata si koalicion VLEN janë në Qeveri me kërkesë që brenda 6 muajve të ketë zgjidhje konkrete për zgjidhjen e problemit me ndryshimet kushtetuese, por se do të presin të skadojë kjo periudhë dhe më pas do të dalin me qëndrim për hapat e tyre të mëtejshëm. Nga ana tjetër, paralajmërohet se Qeveria do t’u dërgojë letër institucioneve në Bruksel që të zhbllokojnë procesin, që Maqedonia të vazhdojë me integrimet europiane. Por a do ta marrë obligimin Qeveria që deri te Kuvendi të dërgojë informacione rreth paralajmërimeve të tilla, zëdhënësja e sapoemëruar e Qeverisë, Marija Miteva thotë se opinioni do të informohet.

“Sigurisht që kur të përgatitet një zgjidhje e tillë, së pari opinioni do të informohet, nuk bëhet fjalë për diçka që do të mbahet në sekret. Përkushtimi i Qeverisë në lidhje me rrugën eurointegruese është çdoherë i hapur para qytetarëve me qëndrime të shprehura qartë. Kështu që po pajtohem se për të njëjtën kur të krijohen kushte do të informohet opinioni”, deklaroi Marija Miteva.

Përndryshe nga ana e grupit parlamentar të LSDM-së tani për tani ende nuk është parashtruar kërkesë për mbajtjen e seancës parlamentare. Filipçe thotë se do të presin që të shohin se çfarë përgjigje do të japë kryeministri dhe Qeveria e më pas do të ndërmarrin të gjithë mekanizmat për thirrjen e seancës në Kuvend.