Procesi i zgjerimit nuk është vetëm përshtatje teknike e ligjeve ose plotësim administrativ i kritereve aderuese, por është proces me rëndësi gjeopolitike. Këtë e theksoi kryetari i LSDM Venko Filipçe në fjalimin e tij në konferencë në Parlamentin europian. Ai theksoi se është e domosdoshme që partia e socialdemokratëve europianë dhe socialistët dhe demokratët e parlamentit europian të marrin rol aktiv në procesin e zgjerimit të BE-së. Filipçe po ashtu e kritikoi qeverinë duke thënë se nuk është e gatshme për të vazhduar me ndryshimet e nevojshme kushtetuese për fillim të negociatave, që sipas tij e rrezikon procesin eurointegrues.
“Ngecja vetëm i përforcon tendencat autoritare dhe i përforcon forcat dhe partitë ekstreme të djathta në vendet e tyre që e dëmton zhvillimin demokratik të këtyre vendeve. Tani është koha që socialdemokratët ta intensifikojnë procesin e zgjerimit ku një kohë të gjatë mbaheshin peng për shkak të mospasjes së vizionit”, tha Filipçe.
Përkundër kritikave të Filipçes, ministri i shëndetësisë Arben Taravari në edicionin e djeshëm të Click Plus tha se kryeministri Mickoski nga Brukseli ka kërkuar garanci se nuk do të ketë bllokada shtesë në procesin e rrugëtimit europian të vendit.
“Nëse mund të gjendet zgjidhje për atë garanci, që duhet ta japë Brukseli ose Uashingtoni, Mickoski thotë: T’i bëjmë ndryshimet kushtetuese sepse i kemi numrat, por zbatimi i tyre të jetë pasi do të bëhemi anëtare e BE-së për shkak se atëherë nuk do të munden ta kushtëzojnë më Maqedoninë”, deklaroi Taravari.
Maqedonia është para dyerve të BE-së për shkak të kërkesës së Bullgarisë për vendosjen e bullgarëve në Kushtetutë, por kryeministri Mickoski mbetet në qëndrim se këtë mund ta bëjmë tani por të vlejë pas anëtarësimit tonë në BE.
